Shkodër, "Migjeni" kërkon spektatorë
Shërbimi në ambiente të mbyllura në bare e restorante tashmë është i lejuar.
Por dyert e teatrove janë ende të mbyllura për artdashësin.
Prej shtatë muajsh jeta artistike ka pushuar dhe ende nuk dihet se cili do të jetë fati i teatrove dhe kinemave.
Aktorja dhe njëherësh drejtore e Teatrit Migjeni të Shkodres, Rita Gjeka kërkon nga qeveria lejimin e jetës artistike në ambientet ku zbatimi i protokolleve kundër koronavirusit është i mundur.
"Dua ti kërkoj ligjvënësve që të na lejojnë hapjen e teatrit sepse kushte të tilla nuk gjen në asnjë supermarket. Ne jemi një teatër i madh, janë 526 karriga dhe 200 vetë nuk mundem që ti thërras për shfaqje?", shprehet Rita Gjeka, drejtoresha e teatrit “Migjeni”.
Edhe aktori Jozef Shiroka ai nuk pajtohet me këtë heshtje dhe nëpërkëmbjen që sipas tij poi bëhet artit nga institucionet e shtetit.
"Qëkur ka filluar periudha e pandemisë, teatri dhe kinemaja ka qenë gjëja më pak e lakume", shprehet aktori Jozef Shiroka.
Të qëndrosh në pritje për artistët nuk është e lehtë, aq më shumë në një stacion të kësaj kohe që po jetojmë, ku nevoja dhe dëshira për të ngrohur shpirtin dhe mendjen me art është e madhe.
Rita Gjeka: "Shkodra është Shkodër, Shkodra nuk jeton pa teatrin, nuk e di kur duan ta kuptojnë këtë gjë"
Jozef Shiroka: "Ne sonte po të na thonë qëtë dalim në shfaqje, ne dalim sepse ne kemi dy premiera gati"
Në pritje të qeverisë dhe fjalës së saj të fundit për fatin e jetës artistike, prozhektorët e teatrove do të qëndrojnë të fikur.