“Mam! Mos hyr tek spiralja e dhimbjes se nuk del dot Kurrë!” Fjalët e fundit të Birit për Flutura Açkën
Kur humb fëmijën, jeta që vjen pas është një hon. Të duhen ura për t’u mbajtur fort pas kujtimeve dhe për të ecur vazhduar jetën.
Prandaj erdhi ”Biri” i Flutura Açkës.
“Biri është një fjalë e vetme që i përmbledh të gjithë. Kështu e thërrisja. S’doja të vija emrin e djalit tim. Doja të vija emrin e personazhit, “biri” i çdo nëne. Ka nëna që kanë fate paralele të ngjashëm me timen. Në libër përpiqem të dal përtej personales sepse nuk e shoh lexuesin as si sup ku duhet të qahem dhe as shpinë ku dua të varem” thotë shkrimtarja në një rrëfim të orëve të vona të natës në emisionin "Tempora" në RTV Ora.
Ka luftuar shumë me veten nëse duhej të botonte një vepër letrare e cila pas kishte historinë e saj personale, por ishin shenjat.
“S’kam dashur ta shkruaja historinë time. Kam luftuar me muaj të tërë a duhej ti hyja kësaj vepre, por nuk iu shmanga dot, unë duhej ta shkruaja këtë histori. U përpoqa u mora me romane të tjera, tekste të tjera, tregime, jam kam sforcuar në mënyrë që unë të mos bëja histori personale por nuk kisha zgjidhje tjetër . Kjo ishte mënyra si unë të vazhdoja të isha Flutura. Unë kisha nevojë për këtë libër urë, të mbetesha tek letërsia që të mund të mbaja tim bir në kujtimet e mia” tregon Flutura Açka në tryezën e emisionit “Tempora” në RTV Ora.
Këmbëngul që edhe lexuesi ta shikojë si vepër letrare, pavarësisht se shumë lexues e kanë të vështirë të shkëputen nga doza e dhemshurisë.
”Unë kam shkruar një vepër letra, nuk është ankimi, viktimizimi, por një vepë letrare me historinë time personale që kam dashur ta kapërcej. Kam ecur në këto shenja sikur janë gurët kilometrikë që secili prej nesh ka në jetën e tij.
E di që ka lexues që shohin nota personale të tij, që e kanë shumë të vështirë të shkëputen nga personalja dhe e japin dozën e dhembshurisë e mëshirës. Nuk i kam qejf këto lloj qasjesh, lexuesi im do e lexojë si histori e dikujt tjetër të panjohur.”
“Biri për aq sa jetoi jetoi bukur”
Jerini u nda nga jeta, 18 ditë pas ditëlindjes së 18-të.
“U përpoqa ti jepja një fëmijëri të lirë tim biri. Jo vetëm jetoi bukur por më injektoi shumë nga bukuria që e rrethonte. Ishte qënie e bukur edhe mentalisht intelektualisht. Një qënie mes Mesdheut dhe ftohtësisë së Europës Veriore. Ndoshta gjithë kjo gjeografi që kishte brenda natyrës së tij, një europian simpatik që i njihte rregullat dhe ligjet por dhe një shqiptar plot pasione, njeriu i aventurave të bukura. Më ka përmirësuara mua si njeri vetë shkoi të përmirësojë parajsën” rrëfen Flutura
Pengu
Ka mësuar shumë nga Jerini, madje thotë se djalin e ka njohur më shumë pasi iku
“Tim bir e kam njohur pasi më ka ikur! Nuk dua të gjykoj veten time se pse nuk e kam njohur më parë. Besoj e kam njohur shumë mirë dhe në këtë sens nuk kam asnjë peng. Pengun e vetëm që kam është rinia e tij. Ishte një fëmijë i aventurve të bukura, udhëtar "
Kudo e lidhin kujtimet e birit
“Kam disa foto të bëra të kanunit dhe Kanunin e tij (librin) e kam mbi tryezën e dhomës së ndenjes e mbaj si orendinë më të çmuar që kam rrotull gjërave që shoh përditë. Në foto kam disa citate që ka fotografuar me vete mes të cilave do e bënte një tatuazh dhe do e bënte me alfabetin e Elbasanit sepse tatuazhi nuk duhet të jetë i lexueshëm, është personal”
E sotmja bëhet edhe më e vështirë
Flutura Açka: “Para dy javësh kam qenë në Valbonë u ktheva. Nuk munda dot ishte ende energjia e tij e shpërndarë nëpër ajër. Nuk e kam menduar që me kohën do të bëhej edhe më e vështirë
Ndoshta në momentin kur më ndodhi plaga ishte e hapur e patharë, isha ende në peshën që nuk kuptoja, një njeri i kthyer në automat, njeri gur, tani që po kthjellohem e kuptoj se çfarë ka ndodhur dhe po bëhet edhe më e vështirë"
A e shëroi letërsia?
Flutura Açka: “Po, jam në një paqe. Unë vazhdoj të të jetoj në përrallë, ma bënte vërejtje dhe im bir por më mirë të jetoj kështu në këtë fiction. Jam në një rënie të lirë. Diku në qiell dhe jam duke rënë. Kam një ezauriment mental edhe nga fakti që po publikoj një gjë që nuk kam dashur kurrë.
Jam dashnore e fiction por nga një kthesë fatale e jetës time detyrohem të shkruaj për një gjë që është kundër principeve të mia. Të shkruaja për tim bir kur ai do të shkruante vetë.
Në jetën time kam vendosur një qasje timen mbi zinë. Është shumë e rëndësishme. Kjo është gjëja që e mundon çdo prind që humb fëmijën. Si të mundet ta përbishë zinë brenda vetes. E kam vendosur ta kem shumë personale.”
Si është e mundur që ‘zinë personale” e bën aq publike me një libër?
“Po të mos ishte siguria dhe vendosmëria e nevoja e brendshme e shkrimtares nuk do ta kisha publikuar dhe do të ishte thjesht një ditari im personal dhe kaq”
Për vetëm një minutë me djalin tim
Të shumtë janë ata që iu gjendën pranë për të kapërcyer këtë gjëmë, apo dhe i kanë dhënë shtysë dhe i ka ndjerë më pranë me publikimin e librit, por ja që janë dhe ”të këqinjtë” edhe pse të paktë në numër që “me xhelozinë e tyre makabre” të helmojnë.
Flutura Açka tregon: “Me ikjen e djalit kam zbuluar një institucion të së keqes që s’e njihja, që ishte zilia macabre, xhelozia makabre. Të xhelozohesh dhe për lajket që merr një foto apo një poezi që ia dedikon tët biri. Janë shumë pak, por nuk e dija që ekzistojnë
Sigurisht që ndjeshmëria ndaj një poezie që shkruaj për djalinë është më e madhe. Kam parë një lloj etheje dhe jam gati tu them këtyre eksponentëve që jam gati ta jap këtë nëse kjo quhet famë, për ta patur vetëm një minutë djalin dhe të iki në anonimatin tim. Më ka ardhur keq!”
Vdekja dhe jeta
Tregon se Jerini ishte kujdesur deri në momentin e fundit për të, shqetësohej cfarë do të ndodhte me Fluturën nënë pas largimit në botën tjetër.
Kam kapërcyer veten. Kam mbyllur rubinetat e lotëve të mos e përcillja me klithmë tim bir por si njeri. Gjithë shqetësimi i ti ishte çfarë do të ndodhte me mua pasi ai të mos ishte. Gjithë kurimit që i bënte mjedisit dhe gjithçkaje më përgatiti që kur të vinte ai moment të kisha pirë dozën e mjaftueshme të dinjitetit, sepse ai ishte sovran dhe sonvran iku.
Mam – më tha, sepse ai kështu më quante - mos hyr tek spiralja e dhimbjes se nuk del dot Kurrë!”
/Pergatiti online: Suela Gera/