Letër nga një provinciale: Shqipëria ka aq shumë yje të padukshëm, të cilëve koha do tua heqë mjegullën....


(Për ata që kritikojnë dhe nuk mendojnë)

Unë u përfshiva në debatin mbi Kadarenë, as për ta ulur si shkrimtar dhe as si njeri, as atë e as veprën e tij. Kjo sepse në besimin tim thuhet pikërisht kështu : “Mos gjykoni, që të mos ju gjykojë Perëndia, sepse ashtu siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni të tjerët, do të mateni edhe ju nga Perëndia.” (Lk 6.37-38, 41-42)

Këtë gjë kishte parasysh dhe studiesi Agron Gjenmarkaj kur foli për Kadarenë. Por unë, meqë nuk vij nga Broadway i Tiranës së Diana Çulit, por nga Broadway (Rruga e gjerë) e Vlorës, që natyrisht është dhe rrugë detare e ka shumë hapësira, e mendoj ndryshe këtë punë. Jo më kot solla si shembull dhe fjalimin e shkrimtarit David Foster Wallace, “Ky është ujë”, sepse ai më kujton një shprehje të hershme vlonjate se “po nuk e dite notin, në det të hapur nuk të mban as komerdarja.”

Ne të gjithë si shoqëri kemi jetuar në një akuarium politik dhe ideologjik dhe për këtë nuk i vë faj Kadaresë. E kemi falur për ato që ka shkruar para viteve 1990. Njeriu kërkon falje dhe fillon një jetë tjetër, me mendësi tjetër. Edhe shumë shenjtorë kanë gabuar në fillimet e jetës së tyre, duke filluar që nga Shën Agostini që në rini i ishte përkushtuar kënaqësive të kësaj bote, po ashtu dhe Shën Françesku që i prishte paratë qejfeve, për të mos folur pastaj për Shën Palin, i cili ishte i njohur si një persekutor i pamëshirshëm i të krishterëve para se të kthehej në krishterim.

Prisnim shumë prej Kadaresë që të na frymëzonte, madje shpresonim që do të gjente një dritë nga perëndimi që të na shkruante si popull ndonjë nga ato letrat e tipit Martin Luter King, se “unë kam një ëndërr se Shqipëria do të ngrihet lart si shqiponjë e nuk do të ngelet në varfërinë mendore, shpirtërore, ekonomike, etj".

Madje, më 21 shtator 2014, Papa Francesku në vizitën e tij në Tiranë tha se “Shqiponja fluturon larg por kthehet në folenë e saj. Mos e harroni folenë, fluturoni larg por mos harroni origjinën.” Natyrisht Papa fliste për origjinën e krishterë, veç asaj kombëtare, për të cilën edhe Kadare ka folur dhe i jemi mirënjohës. Por ka ca gjëra, të cilat nuk e tregojnë aspak të krishterë. Papa Gjon Pali II te libri i tij “Të kapërcehet pragu i shpresës”, të cilin e ka redaktuar bashkëshortja e tij Elena Kadare, në faqen 75, thotë se “përballë lirisë njerëzore zoti ka dashur të bëhej i ‘pafuqishëm’...”

Dhe kjo liri njerëzore ka të bëjë dhe me të drejtën e votës së lirë, e pluralizmit politik, të cilën Ismail Kadare ia nëpërkëmbi shqiptarëve me letrën e 21 majit 2011, ku i kërkonte Lulëzim Bashës tërheqjen prej kandidimit duke i thënë shprehimisht: “Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste të tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi.”

Me këtë letër Ismail Kadareja bëri që sytë e shqiptarëve të ktheheshin nga Basha, i cili i ka kthyer përgjigjen, për të cilin meritoi respektin e kundërshtarëve të tij politikë, por që besonin te demokracia: “Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri.”

Gjithsesi, mendoj se është e drejta e çdo njeriu publik të shprehet publikisht, por po ashtu dhe e Kadaresë. Por meqë këtë periudhë pandemije kemi qenë më pranë ngjarjeve në rrjetet sociale e media, si inxhiniere fillimisht në profesion, unë u mëshoj shumë probabiliteteve, pasi dihet se rëndësia e teorisë së probabilitetit dhe statistikës matematike janë rritur ndjeshëm në epokën tonë digjitale dhe në teorinë e informacionit. Ngjarja e parë që ndodhi ishte vdekja e të vesë së diktatorit Nexhmije Hoxha, me të cilën Ismail Kadareja kishte bërë debat për ditarët. Por siç duket dhe ajo ngaqë kishte qenë në pushtet të pakufizuar dhe kishte pasur në dorë gjithë frenat e shtetit, e bëri Kadarenë të heshtte.

Kadareja heshti dhe për teatrin. Mund ta thoshte mendimin e tij. Thanë që ishte i sëmurë. Të shkuara. Por dy gjëra janë të paharruara mbas heshtjes së Kadaresë: futja në lojë e një ish ushtaraku të zbulimit Auron Tare, i cili pretendoi se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe, pak më para tij, dalin “Rrëfimet e kryehetuesit Prof. Qemal Lame - Prapaskenat për arrestimin e Ismail Kadaresë.” Po të ishte gjallë Nexhmija, të cilën Enver Hoxha dhe të tjerë e quanin kasaforta e tij dhe e Komitetit Qëndror, a do të livadhiste Qemal Lame?!
Kam të drejtë që të dyshoj në këtë rastësi?! Pse mundohen të ulen dy shkrimtarë dhe të ngrihet njëri?

Çfarë kanë bërë ata më shumë që e ul Kadarenë në nivelin e shërbimeve kombëtare?! Po të shohësh me vëmendje Martin Camaj, qëndroi rreth 31 vjet në Mynyh dhe gjëja e parë që bëri ndërtoi Institutin e Albanologjisë, po ashtu dhe Koliqi jetoi 32 vjet në Itali dhe Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Romës arriti që ta bënte Institut të Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua president.

Po Kadare për 30 vjet, a e bëri këtë gjë në Francë, madje kishte dhe gruan që kishte mbaruar Universitetin për Gjuhë Letërsi Shqipe?! Nuk kam përgjigje. E vetmja gjë që di është se as Koliqi dhe as Camaj nuk morën një qindarkë nga shteti shqiptar që i luftonte me të gjitha mënyrat. Se ata dinin të notonin në det të hapur, se ata punonin dhe kishin ardhur aty ku ishin pa kamerdare. Se ata ishin katolikë dhe shërbimin e kishin në themel të fesë së tyre.

Ajo që dua të them është se si provinciale që jam, më pëlqejnë shumë “Letrat provinciale”, të njërit prej shtjelluesve të teorisë së probabilitetit, matematikanit, fizikantit dhe filozofit francez Blaise Pascal (Blezë Paskal), që u shkruan prej tij kur ai pati atë ndriçimin hyjnor. Meqë është një kohë shumë e vështirë për të gjithë m’u kujtua shprehja e Paskal se “Në kohë të vështira mbani diçka të bukur në zemrën tuaj.” Dhe ajo gjëja e bukur në shpirtin tim është dashuria njerëzore për popullin tim të vuajtur, që edhe pse është kohë pandemije, heq bukën nga vetja për të çuar fëmijët në shkollë, kur njerëzit si Kadare që pretendojnë se marrin miliona nga shitjet e librave i fusin ende duart në bukën e këtij populli.

Dhe së fundmi: Kush lexon dhe e do popullin e tij, do të gjejë jo vetëm Nënë Terezën, por dhe tre shenjtorë të tjerë shqiptarë, do të gjejë jo vetëm Kadarenë, por dhe të tjerë. Se Shqipëria ka qënë dhe është konstelacion, ka aq shumë yje të padukshëm, të cilëve koha do tua heqë mjegullën.