Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm, BERZH ul ndjeshëm me 7.5 pikë përqindje pritshmërinë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë pas dy goditjeve që ka marrë nga tërmeti dhe nga pandemia nuk do të jetë e lehtë.

Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, ekonomia shqiptare do të pësojë rënie me 9% në vitin 2020 ndërsa pritet që të rritet vetëm me 4.5% një vit më pas.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar në maj që ekonomia e vendit do kishte një rimëkëmbje të shpejtë me 12%, tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5%.

Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm në vendet e Ballkanit por për gjithë rajonet e BERZH-it.

Pandemia ka ndikuar në ekonominë shqiptare kryesisht përmes efektit të saj negativ në turizëm, i cili normalisht kontribuon në më shumë se një të pestën e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, thekson BERZH.

“Sipas Unionit Shqiptar të Turizmit, rreth 5 milion qëndrime gjatë natës gjatë sezonit të verës janë anuluar këtë vit. Gjithashtu, eksportet e mallrave në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ranë me më shumë se 40 për qind në vit gjatë bllokimit më të ashpër (mars-maj 2020) dhe me 15 për qind nga viti në vit në qershor korrik.”

Deri në mesin e këtij viti borxhi publik arriti në 80% të Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 14% krahasuar me fundin e vitit 2019.

Sipas raportit rënia e remitancave me pothuajse një të pestën në gjysmën e parë të vitit 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019, ka dëmtuar konsumin privat.

Megjithatë BERZH thekson se këto parashikime nuk supozojnë ndonjë ringjallje të madhe të pandemisë.

Ditën e djeshme, INSTAT publikoi shifrat sa I përket ecurisë ekonomike për tremujorin e dytë të vitit 2020, që përkon me kulmin e pandemisë.

Sipas INSTAT, ekonomia ra me 10.2% me bazë vjetore dhe 8.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Sektori më i goditur ishte “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, që ra me -28% me bazë vjetore.