Mori 6 mijë euro për lirimin e trafikantit, arrrestohet gjyqtarja, bashkëshorti i saj dekan dhe avokati

Ish-gjyqtarja e shkallës së parë në Durrës, aktualisht e komanduar si gjyqtare e Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka, është vënë në prangat e policisë pasditen e sotme.

Arrestimi i saj është bërë me urdhër të SPAK, me akuzën për korrupsion në drejtësi.

Bashkë me të janë arrestuar dhe bashkëshorti i saj Arben Cara me profesion dekan në Durrës dhe avokati.

Siç bën me dije SPAK, gjyqtarja ka marrë 6 mijë euro përmes bashkëshortit rë saj për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj një të arrestuari për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

"Ka rezultuar se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm" njofton SPAK.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas.

Masat e sigurimit u morën me 5 shtator, ekzekutimi i tyre nga policia sot

Mbështetur në provat e administruara dhe pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 92 datë 05.09.2020 ka caktuar Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Arben Cara, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetases Mimoza Margjeka, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Gjatë ditës së sotme Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës që cakton masat e sigurimit personal, duke arrestuar shtetasit e mësipërm.