Kosovë, licensohen 11 laboratore të tjera për kryerje të testeve serologjike

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur se ka licensuar edhe 11 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike për koronavirusin e ri.

Përmes këtyre testeve, një person e kupton nëse është prekur në të kaluarën me koronavirus, apo nëse ka krijuar anti-trupa ndaj tij.

Në të gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 98 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12,547 të infektuar me këtë virus.

Deri më tani 8,657 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3,410 raste aktive.