Thaçi i bën thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhjet e Malit të Zi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që të marrin pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi shkruan se këto zgjedhje përbëjnë një momentum të rëndësishëm për forcimin e orientimit euroatlantik të Malit të Zi.

Më 30 gusht në Mal të Zi mbahen zgjedhjet parlamentare, të njëmbëdhjeta me radhë që nga futja e këtij vendi në sistemin shumëpartiak, si dhe të pestat me radhë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.

Në garë janë gjashtë koalicione, nga të cilat dy janë shqiptare, si dhe pesë parti politike.

Postimi i Presidentit Thaçi në Facebook

Shqiptarët në Mal të Zi duhet të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës. Ato përbëjnë një momentum tejet të rëndësishëm për vazhdimin e forcimit të orientimit euroatlantik të shtetit tonë mik. U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor. HTH