Familja Zeneli prej tërmetit 26 nëntorit vijon të jetojë në çadër

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit kanë detyruar shumë familje të jetojnë në çadra si të vetmen mundësi që kanë. E tillë është dhe familja e Sali Zenelit në Sharrë e cila apelon për ndihmë pasi temperaturat e larta po ua vështërsojnë së tepërmi jetesën në çadër.

Që prej tërmetit të 26 nëntorit shumë familje kanë mbetur ende pa zgjidhje.

E tillë është dhe familja e Sali Zenelit banesa e të cilit është bërë tashmë e pabanueshme.

Prej gati 8 muajsh familja me 4 anëtarë jetojnë në çadër.

Me lot në sy e zonja e shtëpisë tregon se është në pritje që shteti të vërë dorë pasi familja s'mund ta rindërtojnë më.

"Një shtëpi dua që të fus kokën. Nuk kam lekë që të ndërtojmë."

Të gjitha dokumentet i kanë plotësuar dhe është ende në pritje ndërsa nga shteti nuk kanë marrë asnjë ndihmë madje as bonusin e qerasë.

"Nuk kemi marrë asnjë."

60-vjeçarja thotë se jetesa për to është tepër e vështirë sidomos me rritjen e temperaturave.

"Këtu është vapë. Ishte shumë vapë, flemë jashtë."

Të pafuqishëm përballë kësaj tragjedie dhe të ndodhur në udhëkryq Hajdie Zeneli në sharrë apelon për ndihmë pasi i vetmi burim që u mbeti është bagëtia.

"Kemi një lopë dhe shesim qumësht që të hamë bukë. Duke jetuar kot më kot."
Tërmeti i 26 nëntorit la 52 të vdekur, dëmtoi shumë banesa duke lënë shumë familje në mëshirë të fatit.