Kosova e Shqipëria me marrëveshje të reja në ekonomi, drejtësi, siguri e ambient

Kabineti i kryeministrit të Kosovës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mbahet me datë 3 qershor, në Prishtinë.Një ekip nga Kosova, të mërkurën do të udhëtoj për në shtetin shqiptarë me qëllim që të finalizohen materialet për marrëveshje. Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Sokol Havolli, këshilltar për çështje ekonomike i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.“Përgatitjet janë duke vazhduar dhe janë në finalizim pikat e marrëveshjes. Të mërkurën do të udhëtojmë një ekip nga Prishtina për në Tiranë, për të finalizuar materialet për marrëveshje. Marrëveshjet e reja do të jenë në fushën e bashkëpunimit ekonomik, sigurisë, drejtësisë, ambientit e shumë fusha të tjera”, tha Havolli, për KosovaPress, përmes përgjigjeve elektronike.Këshilltari i kryeministrit Mustafa, tha po ashtu se deri tash qeveritë nuk kanë finalizuar numrin e marrëveshjeve që do të arrihen në këtë takim.Ndërsa i pyetur për kërkesën e ministres për Dialog, Edita Tahiri, që në mbledhjen e dy Qeverive të diskutohet për Preshevën, Sokol Havolli tha se deri tash nuk kanë diçka konkrete dhe duhet parë se çka munden të konkretizojnë për Preshevën.Ndryshe, Edita Tahiri në mbledhjen e fundit të qeverisë, kishte thënë se gjendja e qytetarëve të Preshevës kërkon mbështetje, ngase, siç tha ajo, për dallim nga shqiptarët tjerë të rajonit ata të Luginës janë lënë anash."Për dallim prej shqiptarëve në rajon, gjendja e qytetarëve atje kërkon mbështetje për të mos i lënë jetim. Mendoj se është koha e fundit që të bëjmë shumë për ata edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova. Madje edhe vizitat i kemi të rralla të mos flasim për mbështetje tjera", kishte thënë ajo./Kosovapress/