Koka: 44 gjoba për gjueti të paligjshme me vlerë 3.2 milionë lekë
Pavarësisht protestave të Federatës së gjuetarëve, Ministria e Mjedisit deklaron se shtyrja me pesë vite për moratoriumin e gjuetisë është mjaft pozitive, nisur nga të dhënat e funksionit të moratoriumit gjatë dy viteve të tij.Në një intervistë për Ora News, Ministri Lefter Koka foli edhe për moratoriumin e pyjeve, duke theksuar se që nga hurja në fuqi e tij janë konstatuar disa raste shkelje të cilat janë çuar për ndjekje penale.Në një intervistë për Ora News, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, theksoi se moratoriumi 2 vjeçar i gjuetisë përmirësoi ndjeshëm situatën e faunës së egër në vendin tonë e cila ishte emergjente.Por Ministri Koka thekson se ka ende shumë punë për të bërë, ndaj dhe shtyrja e moratoriumit me 5 vite është mëse e domosdoshme.Për këtë arsye ai i bën apel Shoqatës së gjuetarëve, të cilët e kanë kundërshtuar, të ulen në bisedime pasi në këtë mënyrë do të kuptojnë rëndësinë e tij.Koka: Kanë qenë 20 e ca vjet ku gjuetia është bërë në mënyrë totalisht të pakontrolluar.Këto masa që ne kemi marrë nga njëra anë konsiderohen dhe shihen si masa radikale por fatkeqësisht në vendin tonë ishin të domosdoshme. Në dhjetë vjeçarin e fundit kemi humbur mbi 14% të sipërfaqes së gjelbër dhe çdokush do ta kuptojë se nëse edhe një dhjetë vjeçar tjetër do të jetë i atillë, Shqipëria relativisht do të jetë një vend i zhveshur, do ketë një erozion shumë të lartë, do ketë përmbytje në zonat fushore.Lidhur me moratoriumin 10 vjeçar të pyjeve, Ministri Koka theksoi se në të gjithë vendin ka monitorime 24 orë nga task-forca e krijuar prej 400 personash të cilat kanë konstatuar rreth 14 raste shkelje, disa prej të cilave janë çuar për ndjekje penale.Koka: Rreth katër qytetarë apo industri janë dërguar për ndjekje penale, janë vendosur gjobat e nevojshme qoftë nga Inspektoriati por edhe roja e gjelbërt kur kanë qenë sëbashku dhe vazhdon monitorimi në 24 orë të ditës. Rezultati i deritanishëm është shumë optimist.Ministri i Mjedisit Koka u bëri apel qytetarëve të respektojnë mjedisin si një mënyrë e mirë për të shtuar gjelbërimin në vend.Koka: Nuk mund të kesh dot një turizëm, aq më shumë turizëm elitar, në një mjedis të shkatërruar.