Gara për numrin dy të PS-së, emri më i lakuar i Gramoz Ruçit

Pas përfundimit edhe të procesit të votimit për referendumin, Partia Socialiste  ka vendosur që të ezaurojë edhe procesin e fundit të zgjedhjes së strukturave të saj drejtuese, Kryesinë, Sekretariatin Ekzekutiv dhe Sekretarin e Përgjithshëm.Të shtunën ne orën 10:00, Asambleja Kombëtare do të ketë axhendë të vetme vetëm zgjedhjet. Gara më e rëndësishme për shkak edhe të ndryshimeve statutore është ajo për Sekretarin e Përgjithshëm, posti i dytë më i rëndësishëm në parti, i cili propozohet nga kreu i partisë, pasi ishte shkrirë më herët në vitin 2011.Sekretari i Përgjithshëm, në mungesë dhe me porosi të Kryetarit të partisë drejton mbledhjet e Kryesisë së partisë dhe kryen funksionet e Kryetarit të partisë për periudhën kur vendi i tij mbetet vakant.Deri më tani, emri  më i lakuar se mund të kandidohet nga Rama, është Gramoz Ruçi, kryetar i Asamblesë, qe e ka mbajtur edhe para shkrirjes këtë post,  por kjo nuk përjashton kandidaturat e tjerë, që duhet të sigurojnë 10% të anëtarëve të Asamblesë.Por, në neni 45, ku përcaktohen zgjedhje e Sekretarit të Përgjithshëm, nuk ka kufizime përjashtuese për kandidatët, bazuar ne periudhën e anëtarësisë në parti, çka duket se mund të lërë shteg të hapur aspirantëve të rinj që duan të marrin këtë pozicion.Ndërkohë që përveçse do duhet të bëjë dhe një ristrukturim të sekretariatit ekzekutiv, Rama do duhet të ndryshojë dhe disa prej sekretarëve të tij. Kjo edhe si rrjedhojë e disa detyrimeve statutore, ku pozicioni i sekretarit në parti nuk pajtohet me atë të ministrit.Si pasojë, pritet të largohen nga postet e sekretarëve, Blendi Klosi, që mban pozicionin e Sekretarit Organizativ, Damian Gjiknuri, që mban pozicionin e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Arben Ahmetaj, që mban pozicionin e Sekretariatit për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit dhe Ilir Beqaj, që mban pozicionin e Sekretarit për Programin.Mbetet bosh edhe posti i Sekretarit për Koalicionet i Partisë Socialiste që mbahej nga Ndre Legisi. Kandidatët që nuk propozohen nga Edi Rama duhet të mbështeten nga së paku 5% e anëtarëve të Asamblesë.Edhe  Kryesia e Partisë pritet të rifreskohet. Anëtarët e saj zgjidhen me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë. 20 për qind e tyre propozohen nga kryetari, ndërsa kandidatët e tjerë duhet të kenë mbështetje të 10 për qind të Asamblesë Kombëtare.Pritet të shihet nëse Rama do ta rikandidojë Ben Blushin për një mandat tjetër si anëtar kryesie, ose nëse do arrijë të marre votat në Asamble për një rikandidim./Ora News/