Shteti i heq pensionin, biznesmeni i blen karrigen dhe kontratë pune për 1 vit
Historia e 45-vjeçarit invalid që hiqet nga skema e pagesës së papaftësisë është ajo e dhjeta të tjerëve që edhe pse me probleme shëndetësore janë viktima të burokracive institucionale. Shembulli i bamirësisë që jep një biznes duke i ofruar një kontratë 1 vjeçare pune dhe karrige lëvizëse duhet të jetë inkurajim për të gjithë ata që kanë mundësi për të ndihmuar njerëzit në nevojë.Për 15 vite, Dritan Maksutaj, 45 vjeçari nga Thumana bën përpjekje për t'u ngritur nga shtrati ku sëmundja e ka lënë të pafuqishëm për ti siguruar 5 fëmijëve bukën e përditshme. Invaliditetin nuk e ka të lindur, por të shkaktuar për shkak të mos kurimit në kohë të sëmundjeve.Pamundësia për të lëvizur e ka penalizuar edhe me heqjen e pagesës së paaftësisë prej 9 mijë lekësh në muaj për të dhe kujdestarin që prej shtatorit të 2014.Dritan Maksutaj: Me 14 shtator të 2014 mua më hoqën pensionin, po unë do dal, do shkoj tek doktori.kush do të më çojë?Fatmirësisht, kur shteti bie pre e burokracisë, janë individë me zemër dhe dëshirë për të ndihmuar më të pamundurit e shoqërisë.Besnik Bami, është një biznesmen i sukseshëm në sektorin e inftastrukturës dhe ndërtimit dhe ka vendosur të ndihmojë Dritanin, duke i ofruar një punë dhe një karrige elektrike që do t'ia lehtësojë lëvizjen.Besnik Bami: E kam gjet në rrugë të madhe duke kërkuar ndihmë dhe unë ja kam premtuar një karrocë dhe ja solla sot. E gjeta, ja bleva dhe ja solla. Tjetër gjë që do bëj për Dritanin është se sot i kam bërë një kontratë pune ku ky njeri për një vit atë pension që nuk e ka përfituar do ta ketë nga unë.Dritan Maksutaj: Nuk e prisja këtë surprizë, Besnikun e kam pas shok, në shumë raste më ka thënë ku e merr miellin, ku i merr ushqimet, ik shko merri i ke të paguara.Besnik Bami: Çdo biznes me gjithë vështirësitë e veta që ka duhet të shohë pak nga këta njerëz.Kontrata e punës për 1 vit e siguruar në kompaninë e ndërtimit të sipërmarrësit Bami është një nga modelet e mbështetjes që duhet të ofrojnë edhe biznese të tjera.Iniciativa të tilla nuk duhet të mbeten individuale, edhe pse janë shpëtim për një familje si kjo e Dritanit në Thumanë të Fushë Krujës.