Kryeministri i Ukrainës njofton dorëheqjen: S’ miratuam "ndryshimet e vërteta”
I vënë prej kohësh nën trysninë e sulmeve të vazhdueshme, kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen javën e ardhshme, duke fajësuar politikanët se kanë dështuar të miratojnë “ndryshime të vërteta”.Yatsenyuk i cili mban detyrën e Kryeministrit që prej rënies nga detyra e ish-presidentit pro-rus Viktor Janukoviç në shkurt të vitit 2014, tha se do të informojë të martën parlamentin lidhur me dorëheqjen e tij. "Kam marrë vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër i Ukrainës.Të martën, me 12 prill, unë do ta dërgoj atë në parlament. Ky vendim bazohet në disa arsye, kriza artificiale politike ka dëmtuar qeverinë dhe dëshira për të ndryshuar një person ka verbuar politikanët dhe ka paralizuar vullnetin e tyre për të sjellë ndryshime reale në vend" tha ai gjatë një fjalimi televiziv të dielën.Kabineti qeveritar i Yatsenyuk i shpëtoi një mocioni mosbesimi në parlament gjatë shkurtit, por dy ish-aleatë të koalicionit, Partia Populiste Radikale dhe Partia Reformiste, refuzuan që t’i ribashkohen aleancës së re të partisë së kryeministrit të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, fraksionit të presidentit Petro Poroshenko dhe partisë së ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.Ata kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit lidhur me përkeqësimin e ekonomisë dhe ritmin e ngadaltë të reformave.Më herët, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i kishte kërkuar kryeministrit Arseniy Yatsenyuk që të jepte dorëheqjen, duke thënë se ai ka humbur mbështetjen e koalicionit.Qeveria e Yatsenyukut është kritikuar vazhdimisht për ritëm të ngadaltë të reformave dhe përballet me akuzat për korrupsion.Nëse ligjvënësit nuk arrijnë të formojnë një koalicion të ri dhe të bashkohen pas një Kryeministri të ri, kjo mund të çojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat Presidenti Petro Poroshenko ka kërkuar të shmangen nga frika e destabilizimit të mëtejshëm të situatës në vend.