PD merret me referendumin e PS: Rama bleu votat, këmbanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme

Partia Demokratike doli sot në një deklaratë për median për të quajtur farsë votimin e djeshëm në referendumin e PS-së për mandatin e kryetarit.Përmes një deklarate për median sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma tha: " Të gjitha shkeljet e evidentuara nga OSBE-ODIHR në raportin zyrtar për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ishin të pranishme në votimin e djeshëm.Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama pasi u ka besuar drejtimin e partisë.Presioni ndaj administratës ishte skandaloz pasi jo vetëm u monitoruan me lista kush votonte, por u thirrën dhe u kërcënuan të gjithë nëpunësit që nuk patën ndërmend të votonin.Manipulimi nisi me listat që në fillim, të cilat u krehën dhe u sistemuan, që të ishin aty vetëm besnikët e Edi Ramës.Manipulimi vazhdoi me shpalljen e rreme të pjesmarrjes, duke zmadhuar shifra sipas hesapit të Ramës, pasi askush nuk pati akses të verifikonte saktësinë e tyre.Vota u ble nga oligarkët milionerë të Ramës, deputetët biznesmenë dhe kryetarët e bashkive u hodhën në aksion që me zgjedhjen e delegatëve e deri dje pasdite vonë. Të gjithë të inkriminuarit u bashkuan rreth kauzës, për ti siguruar kumbarit Rama sundimin e partisë pa garë e pa zgjedhje.""Dhunimi i votës dje tregon raportin që Edi Rama ka me votën e lirë" tha më tej Duma duke nënvizuar se është "Kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet që po vijnë pasi është e qartë se Edi Rama ka vetëm një projekt, shkatërrimin e tyre"Duma e mbylli deklaratën duke shprehur qëndrimin se PD  është e vendosur të mos lejojë skemat e Edi Ramës kundër votës së lirë të zbatohen në zgjedhjet që po vijnë."Vota e lirë, zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i tij. Një fund që ai nuk ka për ta ndalur dot sado të përpiqet"/Oranews.tv/