Nxirret nga liqeni helikopteri i fundosur, do të transportohet drejt Tiranës
Katër ditë pasi u rrëzua në liqenin e Shkodrës, u arrit të nxirrej nga këto ujëra, helikopteri EC 145 i Ministrisë së Mbrojtjes.Operacioni i vështirë u përmbyll rreth orës 17.15 minuta dhe për kryerjen e tij u angazhuan 40 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, polumbarë të RENEA-s dhe Forcës Detare, si dhe ekspertët e “Eurocopter”.Ndihmesë në këtë proces ishin edhe kushtet e qëndrueshme atmosferike gjatë kësaj të diele, ndërsa dy ditët e mëparshme nxjerrja e bazamentit të helikopterit nga këto ujëra rezultoi e dështuar, pasi ngritja e tij në sipërfaqe përmes jastëkëve të ajrit nuk funksionoi. U desh përdorimi i mjeteve të tonazhit të lartë dhe vinçit që mundësoi nxjerrjen e tij në sipërfaqen ujore, pasi ndodhej rreth 6 metra i zhytur në këto ujëra dhe në një largësi 200 metra nga bregu.Paralelisht ekspertet e kompanisë prodhuese Eurocopter si dhe ekspertë ushtarakë amerikanë të specializuar, të thirrur nga Ministria e Mbrojtjes për të asistuar ne zbardhjen e ngjarjes, kanë asistuar grupin hetimor të kryesuar nga prokuroria për të nxjerrë kamerën regjistruese. Gjatë ditës së sotme në breg kanë dalë edhe një pjesë e helikës së helikopterit, Radari (transmetuesi) si dhe mbështjellësi i njërës nga dyert.Një ditë më parë u gjet edhe kutia e zezë e helikopterit, e cila pritet të japë informacione të rëndësishme mbi shkaqet e ndodhjes së aksidentit që la pas dy të vdekur dhe një të plagosur. Ajo u nxor nga këto ujëra me disa dëmtime, që mendohet të kenë ardhur si pasojë e goditjes së fortë të helikopterit në momentin e rënies në ujë.Helikopteri u rrëzua rreth orës 14.00 të 6 prillit, në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe, ku humbën jetën edhe dy pilotët Florian Deliaj dhe Donald Hoxha, si dhe u plagos ushtari profesionist Gerald Baramuça. Gjatë të gjithë rrugës, transportimi i helikopterit të rrëzuar u monitorua nga Policia Ushtarake dhe ajo e Shtetit, ndërsa tashmë mjeti ndodhet në mjediset e repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. /Ora News/

/Ora News/