Daçiç në Prizren: Serbia s’e njeh Kosovën. S’ka UNESCO pa marrëveshje me ne

Gjatë vizitës së tij në Prizren, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka deklaruar se Serbia ka arritur një fitore duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe se Prishtina zyrtare nuk do të mund të finalizojë proçesin e anëtarësimit në këtë organizatë pa një marrëveshje me qeverinë e Beogradit.Zyrtari serb ndodhej në Kosovë për të vizituar, siç tha ai, objektet e trashëgimisë kulturore serbe. Ndalesën  e tij të parë, Daçiç e bëri në patrikanën e Pejës, ndërsa më pas ka vizituar kishën e Shën Premtes në Prizren, objekt ky nën mbrojtje të UNESCO-s.Daçiç: “Nuk kam ardhur këtu për të iniciuar mosmarrëveshje. Për ne është çështje me rëndësi sepse kemi obligim që objektet nën mbrojtjen e UNESCO-s të ruhen, dhe të ndihmojmë në këtë drejtim. Pres që kjo të jetë një nga temat që do të jetë e pranishme në bisedat e Listës Serbe me organet e Kosovës”.Ministri serb u pyet edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit President.  Ai deklaroi se nuk ka përse ta urojë Thaçin, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën dhe rrjedhimisht as Presidentin e saj.Daçiç: “Shkaku i rrethanave, nuk kemi qenë në situatë që të bisedojmë me njëri-tjetrin, dhe kështu të fillojë dialogu. Ajo që do të doja vërtetë është që të bisedojmë, të kërkojmë gjetjen e zgjidhjeve dhe të mos ketë dhunë njëri ndaj tjetrit dhe të provojmë arritjen e marrëveshjeve. Urim për zgjedhje? Nuk mund ta uroj për zgjedhjen sepse ne nuk e pranojmë funksionin e tij. Por dëshiroj që të punoj në interes të paqes e stabilitetit”.Ndërkohë sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Daçiç tha se vazhdimi i dialogut në Bruksel do të vijojë pas zgjedhjeve të parakohshme  në Serbi.Por e menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigjia e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, i cili nënvizoi se Prishtina zyrtare nuk do të negociojë me askënd për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, siç është UNESCO.Ai shtoi se vizita e Ministrit të Jashtëm serb është bërë për ti dhënë një shtysë fushatës së tij në prag të zgjedhjeve të parakohshme.Gajtë vizitës së Daçiç nuk pati incidente madhore por bëhet me dije se policia ka arrestuar një person i cili tentoi të bllokonte kalimin e zyrtarit serb./Oranews/tv/