Sanders korr tjetër sukses në Wyoming, Clinton fokusohet në New York
Kandidati demokrat Bernie Sanders ka konfirmuar vrullin që ka marrë fushata e tij, pasi ka arritur të triumfojë në Wyoming. Ky është suksesi i tetë për senatorin e Vermontit në nëntë garat e fundit. Pas triumfit, ai zhvilloi një takim me mbështetësit ku i falenderoi ata për kontributin e tyre, teksa kërkoi më shumë angazhim edhe në përballjet e rradhës. Nga ana tjetër, Clinton ka zhvilluar një takim me mbështetësit në New York, shtet në të cilin do të zhvillohet gara e ardhshme që do të mbahet më datë 19 prill.Kandidati demokrat, Bernie Sanders, në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka arritur të mposhtë Hilary Clinton edhe në Wyoming, duke regjistruar në këtë mënyrë suksesin e tetë nga shtatë garat e fundit.Senatori i Vermontit ka arritur të rekuperojë ndjeshëm përballë ish-sekretares së Shtetit, e cila në fillim të garës dukej sikur nuk do të kishte asnjë problem drejt zgjedhjes në nivel partiak.Megjithatë, ekspertët shprehen se Clinton ende ruan një avantazh të konsiderueshëm ndaj Sanders.Aktualisht ish-sekretarja e Shtetit ka arritur të fitojë 1756 delegatë, kundrejt 1.068 delegatëve që ka arritur të fitojë senatori i Vermontit.Pas suksesit, Bernie Sanders, zhvilloi një takim me mbështetësit e tij, ku i falenderoi të gjithë për kontributin e tyre, teksa kërkoi që fushata të mos e humbasë vrullin."Kemi fituar tetë nga nëntë garat e fundit. Kemi hedhur sytë nga New Yorku dhe nga shtetet e tjera. Jemi në këtë garë për të fituar. Jemi në një rrugë të mirë dhe qëllimi ynë është garën partiake e më pas zgjedhjet e përgjithshme" ishin fjalët e Sanders.Nga ana tjetër, Hilary Clinton, e cila ndodhej në New York, duket se ka hedhur sytë nga përballja e rradhës.Ajo falenderoi mbështetësit e saj duke thënë se e kishte për nder që kishte qënë senatorja e tyre në të kaluarën.Zgjedhjet partiake të New Yorkut do të zhvillohen më datë 19 prill. Përballja për demokratët do të jetë mjaft e rëndësishme, pasi Sanders dhe Clinton do të garojnë për 291 delegatë.Edhe gara e republikanëve do të mbahet në të njëjtën ditë.