Zjarr në tempullin indian, më shumë se 100 të vdekur
Më shumë se 100 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Ky është bilanci tragjik i regjistruar në Kerala të Indisë mbrëmjen e së shtunës. Ngjarja ndodhi pranë një tempulli ku qindra persona ishin mbledhur për të festuar vitin e ri hindu. Festivali u shoqërua me fishekzjarre përgjatë gjithë natës, por për arsye ende të paditura disa prej fishekzjarreve janë ndezur në mënyrë aksidentale duke shkaktuar një reaksion zinxhir, i cili më pas krijoi një bilanc tragjik.Një ndërtesë pranë tempullit ku ndodhej një numër i konsideruar personash u shemb duke vrarë shumicën prej tyre, ndërkohë që shumë të tjerë humbën jetët për shkak të forcës shpërthyese. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forca të shumta zjarrfikse, por ndihma e tyre ishte thuajse e papërfillshme. Një pjesë e viktimave humbën jetë si pasojë e plagëve të rënda ndërkohë që të tjerë kishin djegie të shkallës së tretë në shumicën e pjesëve të trupit. Autoritetet bënë me dije se për identifikimin e tyre u përdorën testet e ADN-së.Operacionet e kërkim shpëtimit vijuan edhe gjatë orëve të para të mëngjesit, ku forcave zjarrfikse i'u bashkuan qindra qytetarë të cilët kërkonin për të afërmit. Kryeministri i vendit, Narendra Modi, e cilësoi tragjedinë një incident shokues./Oranews.tv/