Ulen me 4.5% eksportet gjatë shkurtit, ndikim negativ nafta dhe mineralet
Eksportet shqiptare edhe gjatë muajit shkurt kanë vijuar rënien me 4.5%, duke rrezikuar seriozisht ecurinë ekonomike në vend. Ndikimin kryesor në uljen e eksporteve gjatë muajit shkurt e ka dhënë ulja e çmimeve të naftës dhe mineraleve, por edhe falimentimi i kompanisë “Kurum” që mbante peshë me rëndësi në prodhimin e hekurit dhe çelikut. Ndërkohë importet kanë pësuar rritje me 6.8 % këtë muaj e ndikuar kryesisht nga grupet "tekstile dhe këpucë", një dëshmi se ekonomia vijon të jetë e varur nga importet.Ekonomia shqiptare po përballet me një rënie të konsiderueshme të eksporteve.Instituti i Statistikave ka publikuar raportin e tregtisë me jashtë ku konstatohet se për muajit shkurt eksportet janë ulur me 4.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Zëri që ka ndikuar në përkeqësimin e këtij treguesi ka qenë nga grupet "minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me -12.9 % dhe "materiale ndërtimi dhe metale" me -2.7 %.Sipas ekspertëve ulja e çmimit të naftës dhe mineraleve, por edhe falimentimi i kompanisë “Kurum” kanë ndikuar në përkeqësimin e eksporteve shqiptare.Prodhimet fasone vijojnë të performojnë pozitivisht në eksportet shqiptare dhe sipas INSTAT grupi "tekstile dhe këpucë" është rritur me +9.3% gjatë muajit shkurt.Ndërkohë importet e mallrave në muajin shkurt 2016 u rritën me 6.8 % në krahasim me muajin shkurt 2015, duke thelluar edhe më shumë defiçitin tregtar të këtij muaji, i cili u rrit me 16.9 % .Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 34.9 %, Maqedonia me 16.7 % dhe Kina me 65.9 %.