Kryeministri Mustafa flet për protestën e anuluar nga opozita
Nga OraNews Përditësimi i fundit 26 Mars 2016, 07:54
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në Facebook ka shkruar se anulimi i protestës nga ana e opozitës flet për arsyet që opozita i vlerëson për të menaxhuar me veprimet e saj.
Ai thotë se gjatë vizitës së tij në Komunën e Malishevës një grup prej 7-8 të rinjsh shprehën pakënaqësi për prezencën e tij aty, derisa ai me kryetarin e kësaj komune që vjen nga NISMA për Kosovën, diskutuan për problemet që e preokupojnë vendin.“Deri sa vizitoja sot Komunën e Malishevës, një grup prej 7-8 të rinjsh para selisë së VV në këtë qytet, shprehte pakënaqësinë që unë isha aty. Me kryetarin e Komunës, z. Begaj, që vjen nga Nisma për Kosovën, biseduam haptas për shumë çështje që e preokupojnë këtë mjedis. Për mënyrën se si të punojmë bashkërisht për të zgjidhë problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e kësaj komune, që janë qytetarë tanë. Një ambient i tillë, sot, nuk mund të përkufizohet ndryshe, përveç se si një mrekulli e demokracisë. Kësaj demokracie tonë të re kosovare. Prandaj pohimet se Kosova është në krizë, janë dashakeqe. Vendimi i opozitës për të mos protestuar nesër, nuk flet për pasje apo mospasje të krizës,para së gjithash flet për arsyet që opozita i vlerëson për të menaxhuar me veprimet e saj”, ka shkruar Mustafa. /KosovaPress/