Kriza e emigrantëve, Totozani: Refugjatët të mbrohen kundër çdo diskriminimi
Për të përballuar krizën e refugjatëve në rast se Shqipëria do të përballet me një fluks të mundshëm, Avokati i Popullit, Igli Totozani, është angazhuar në përgatitjet për zbatimin e një Plan-Veprimi të përbashkët rajonal.Ky dokument është dakordësuar mes përfaqësuesve të Avokatit të Popullit/ institucioneve kombëtare për të Drejtat e Njeriut të Shqipërisë, Austrisë, Kroacisë, Greqisë, Kosovës , ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë në një konferencë të organizuar në Selanik të Greqisë.Plani i veprimit parashikon që refugjatët dhe emigrantët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes kundër çdo diskriminimi dhe kundër çdo nxitjeje për diskriminim.Ndërkohë që çdo shtet ka për detyrë të kryejë angazhimet e veta përkatëse kombëtare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.Plani për veprim në vijim fokusohet kryesisht në aktivitetet e përbashkëta të institucioneve të Avokatit të Popullit në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të refugjatëve dhe emigrantëve.Çdo institucion pjesëmarrës duhet të planifikojë aktivitetet e veta përkatëse me synim përmbushjen e qëllimeve, misionit dhe detyrave për të cilat është rënë dakord në kuadër të Deklaratës së Beogradit, duke marrë parasysh burimet e disponueshme si dhe mandatin në çdo kontekst kombëtar.