PD merr eksperiencën amerikane: 35% e kandidatëve për deputetë nga Forumi rinor

Instituti Republikan Amerikan i ofron opozitës shqiptare ndihmë  në realizimin me standarde amerikane të debatit për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet. Pas takimit me përfaqësues të këtij instituti gjatë vizitës së tij në SHBA, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se është koha që të rinjtë të angazhohen në politikë.Instituti Republikan Amerikan  do të japë eksperiencën në përfshirjen e të rinjve të listat e kandidatëve për deputetë.Pas një takimi me kreun demokrat,  Presidenti i këtij instituti Mark Green ka mirëpritur dhe inkurajuar nismën e Lulzim Bashës që 35% e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë të vijnë nga Forumi Rinor. Në konceptin e Lulzim Bashës të rinjtë mund të japin kontribut për integrimin e vendit.Basha: Anija jonë drejtohet nga perëndimi. Standardet tona janë si standardet e këtyre vendeve të mëdha demokratike dhe për këtë u premtoj një betejë te fortë deri në fitoren e saj. Duhet të jetë një betejë e përbashkët dhe kjo kërkon sjelljen e gjakun të ri për të investuar për  të ardhme. Një javë para se të udhëtoja në SHBA, unë shpalla vendimin për t'i propozuar Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike diçka që është e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por për Europën por që është diçka që ju jeni mësuar këtu në SHBA;  35 përqind që do të thotë 39 kandidatë për anëtarë parlamenti nga Partia Demokratike e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme do t'i përkasin një brezi vajzash e djemsh më të rinj se 35 vjeç të zgjedhur sipas stilit demokratik amerikan të primareve.Mark Green: Në Shqipëri ka ardhur koha për një demokraci të re. Kemi besim tek lidershipi juaj dhe nen lidershipin tuaj, zoti Basha gjërat do të ndryshojnë në Shqipëri.Kryetari i selisë blu mori pjesë edhe në një pritje të organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptaro-Amerikan, me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikën e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.