Idomeni, mbi 12 mijë emigrantë të bllokuar në kushte të vështira
Më shumë se 12.000 emigrantë vijojnë të mbeten të bllokuar në kufirin greko-maqedonas në kushte ekstreme. Rreshjet e shiut e kanë vështirësuar së tepërmi qëndrimin e tyre, teksa shumë prej azil-kërkuesve kanë patur komplikacione shëndetsore. Një pjesë mjaft e vogël e emigrantëve është larguar gjatë orëve të fundit në drejtim të qëndrave të tjera të strehimit, por shumica dërrmuese e emigrantëve ka vendosur të qëndrojë në kampin e Idomenit, pavarësisht komunikatës së qeverisë maqedonase, e cila ka bërë me dije se nuk do të lejojë më kalimin e azil-kërkuesve.Janë këto pamjet që vijnë nga kufiri greko-maqedonas, aty ku më shumë se 12.000 emigrantë vijojnë të mbeten të bllokuar në kushte ekstreme. Rreshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit, e kanë vështirësuar së tepërmi qëndrimin e tyre dhe si pasojë, shumë prej azil-kërkuesve kanë patur komplikacione shëndetsore.Sikur të mos mjaftonte shiu, emigrantët duhet që të përballen edhe me rezervat e pakta ushqimore që po shkojnë drejt fundit me ritme mjaft të shpejta. Emigrantët thonë se pavarësisht vendimit të qeverisë maqedonase për të mos lejuar kalimin e mëtejshëm të azil-kërkuesve, ata kanë shpresë se kufiri mund të hapet.Nga ana tjetër organizatat humanitare kanë dhënë alarmin se shumë shpejt menaxhimi i situatës do të jetë i pamundur. Ky përfaqësues i UNHCR-së deklaron se mijera emigrantë kanë mbetur të bllokuar në kushte jo-higjenike, me rezerva të pakta ushqimore dhe për ditë të tëra janë përballur me një mot të lagësht. Ai shton se në rast se nuk do të ketë përmirësim të infrastrukturës për të strehuar azil-kërkuesit, shumë mund të vuajnë pasoja mjaft të rënda shëndetësore.