Opozita shqyrton largimin nga Kuvendi i Kosovës
Tri partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.Konsultimet lidhur me vendimin final të tyre janë duke vazhduar, thonë në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka shumë faktorë, të cilët mund të ndikojnë për ta shtyrë opozitën që të largohet nga parlamenti."Jemi në konsultime e sipër për veprimet demokratike, të cilat duhet të ndodhin dhe si opozitë do të shfrytëzojmë mundësinë që t'i bëjmë veprimet, duke e detyruar qeverinë të tërhiqet, sepse ka bërë shkelje të renda në interes të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu ka shkelur Kushtetutën e Kosovës", tha Isufi.Ndërkaq, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit është i panevojshëm.