“Nata e Zjarreve” në Prekaz, të gjithë në nderim të familjes Jashari
Qytetarë të shumtë, bashkatdhetarë nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve, për tre ditë me radhë u përkulën para varrit të Adem Jasharit, familjarëve të tij dhe të rënëve në marsin e ’98-ës në Prekaz.Si çdo përvjetor, në përmbylljen e manifestimit për nderë të rënies heroike të familjes Jashari, u ndezën 56 pishtare përreth varrezave.Ashtu siç regjisori i këtij manifestimi, Latif Zariqi tregon për KosovaPress, “Nata e Zjarreve” për simbolikë ka përhapjen e zjarrit të pushkës së komandantit Adem Jashari.“Ky padyshim është manifestimi më i madh që bëhet në Kosovë. Ky është në vazhdën 3 ditore të manifestimeve, 5-6-7 mars.Kjo është nata e zjarreve për arsye se këtu ka filluar përhapja e zjarreve të p ushkës së pari të Komandantit Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë në të gjithë trojet. Prandaj në Prekaz është mbajtur riti tradicional nata e zjarreve, aty me ndezjen e flakadanëve, ku kanë marrë pjesë nxënësit të cilët kanë vendosur lule, pastaj pjesëtarët e FSK-së ushtrisë sonë të ardhshme, pjesëtarët e UÇK dhe popullata. Të gjithë së bashku kanë shkuar dhe kanë bërë nderim tek komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë të tjerë të kombit. Ky manifestim është titulluar nata e zjarreve sepse është shtrirja e flakës së zjarrit në të gjithë vendin. E keni parë edhe zjarrin kryesor që simbolizon masivizimin shumë të madh. Ndërsa tani jemi në programin kulturor artistik këtu në shesh, i cili është sajuar me ansamblet më të mira, por edhe me rapsodë, solistë e artistë të ndryshme”, tha Zariqi.