Mision faktmbledhës për monitorimin e kushteve të trajtimit të migrantëve
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në funksionin e Presidentit të Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) ishte në Tabanovce, njërën nga pikat tranzitore të kalimit të migrantëve në kufirin midis Maqedonisë dhe Serbisë.Totozani shoqërohej nga Avokati i Popullit të Maqedonisë, Spanjës dhe Sekretariati i Francës.“Ky është një mision faktmbledhës, për të monitoruar në terren kushtet e trajtimit të migrantëve, nëse janë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Totozani, për vizitën në këtë pikë tranzitore të kalimit të refugjatëve nga vendet në konflikt drejt Europës Perëndimore.Pas disa ditësh, theksoi Totozani, të gjitha vendet anëtare në Organizatën e Ombudsmanëve të Meshdeut do të dalin me një qëndrim të përbashkët, në lidhje me situatën e migrantëve, që kalojnë nëpër territorin e vendeve të Mesdheut.Si President i AOM-së, Igli Totozani vlerësoi punën e bërë nga Ombudsmani i Maqedonisë, duke i garantuar atij të gjithë mbështetjen e organizatës AOM.Gjithashtu, ai tha se një punë e mirë është bërë edhe nga qeveritë e vendeve të rajonit, pasi kjo ishte një situatë emergjence e jashtëzakonshme.Në një hark kohor prej 7 muajsh, në këtë pikë tranzitore kanë kaluar rreth 700 mijë refugjatë drejt Serbisë dhe më pas kanë hyrë në vendet e Bashkimit Europian.Gjatë inspektimit, vetëm për ditën e djeshme në këtë qendër ndodheshin 617 persona nga Afganistani.Avokati i Popullit të Shqipërisë dhe kreu i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, Igli Totozani vuri në dukje rëndësinë për një bashkëpunim dhe koordinim të shumë aktorëve në nivel lokal, rajonal, europian dhe ndërkombëtar.Kjo, pasi ky fluks migrator krijon një situatë që kërkon gjithëpërfshirje, për të garantuar mbrojtje të lirive dhe të drejtave për njerëzit në nevojë.Rajoni i Mesdheut po përballet me flukse të përziera migratore ku mes azil kërkuesve, ka njerëz që tentojnë t’i shpëtojnë luftës, por edhe emigrantë ekonomike, viktima të trafikimit, të mitur të pashoqëruar, etj.Prezenca e kategorive vulnerabël, të cilët kërkojnë mbrojtje të veçantë shtron detyrimin përpara institucioneve të ombudsmanëve, dhe institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut në të gjitha vendet, që të bashkëpunojnë me institucionet qeveritare për të adresuar sa më mirë sfidat që hasen lidhur me identifikimin dhe mbrojtjen e këtyre njerëzve.