Parlamenti britanik diskuton "Brexit", Camerun kundërshtarë dhe brenda partisë

Përfaqësuesit e parlamentit britanik janë përfshirë në një debat mjaft të ndezur në seancën gjatë së cilës u diskutua rreth çështjes "brexit".Kryeministri, David Cameron, është sulmuar thuajse nga të gjitha palët, përfshirë anwtarë të kabinetit të tij.Ka qenë fillimisht kryetari konservativ i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, i cili me një gjuhë ironike i kërkoi kreut të ekezkutivit të shpjegonte sesi marrëveshja e firmosur me zyrtarët më të lartë të BE-së i rikthente Britanisë së Madhe sovranitet të plotë në proceset ligjvënëse.Johnson shihet si një nga politikanët më karizmatikë në vend ndaj kundërshtia e tij pritet të sjellë mjaft efekte negative në fushatën e Kryeministrit.Cameron argumentoi se në bazë të akordit të arritur disa ditë më parë, parlamenti vendas ka të drejtë që të kthejë mbrapsht ligje të cilat në gjykimin e përfaqësuesve të parlamentit nuk mbrojnë interesat e Britanisë.Ai shtoi se e kishte bërë gjithashtu të qartë se Qeveria e Londrës do të refuzonte çdo përpjekje për të patur një union gjithnjë e më të bashkuar.Në mbyllje ai tha se nëse qytetarët do të votonin pro qëndrimit, Britania do të gëzonte statusin special, nga i cili do të kishte mundësi që të mos përfshihej në politika që i interesojnë.Nga ana tjetër, kreu i partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, mbrojti idenë e qëndrimit në BE, por theksoi se e gjithë fushata e Cameron është një shfaqje teatrale.Ai nënvizoi se qëndrimi sjell mjaft të mira për Britaninë, sidomos në fushën e tregtisë së lirë.Presioni për Cameron është rritur edhe nga Bashkimi Europian. Zëdhënësi i KE-së, Margaritis Schinas, tha se përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk kanë përgatitur një 'plan B' në rast se qytetarët britanikë do të vendosin për daljen e vendit të tyre nga blloku me 28 antarë.Ai theksoi se zyrtarët e unionit nuk duan të përfshihen në çështjet e Brendshme të Britanisë dhe se vazhdimësia e saj brenda BE-së do të qartësohet pas referendumit që do të mbahet më datë 23 qershor.