Udhëheqësit fetarë bëjnë thirrje për dialog mes partive politike
Nga OraNews Përditësimi i fundit 18 Shkurt 2016, 15:43
Udhëheqësit fetarë, të Kosovës, ata të Kishës Katolike, të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Kishës Protestante kanë dalë sot në një konferencë të përbashkët për media me anë të së cilës kanë ftuar spektrin politik që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalim të situatës.
Pikërisht një ditë pas 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kur edhe partitë opozitare mbajtën protestën me të cilën kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë,Myftiu i Kosovës Naim Tërnava i bëri thirrje spektrit politik të Kosovës që të gjejë kurajë për një unitet veprues ku në atë mënyrë të dilet nga kjo situatë politike.
Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, në fjalën e tij të rastit ka uruar qytetarët e Kosovës për Pavarësinë e Kosovës, ku përmendi edhe protestën e djeshme të opozitës pikërisht në ditën kur edhe po festohej 8 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Ai me këtë rast tha se qëllimi i tyre është që të gjithë njerëzit vullnet mirë të thërrasin arsyen për mirëkuptim, për dialog dhe për një ndërtim të së ardhmes së fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjergji ka theksuar se nuk mund që kërcënohet me forcën e popullit dhe të pushtetit por me forcën e dialogut.Ndërsa, të pyetur se a do të ndërmjetësonin udhëheqësit fetarë, për situatën në vend, Ipeshkvi Dodë Gjergji, ka thënë se janë të gatshëm të ftojnë për drekë dhe darkë dhe të ulen e të bisedojnë por edhe të ndërmjetësonin në kuptimin ndërmarrjes së një veprimi.Gjegji tha se bashkëpunimi i bashkësive fetare në Kosovë mund të jetë edhe një shembull të cilin do të mund ta merrnin partitë politike. Pasi që siç tha ai këto bashkësi fetare mund të kenë pikëpamje të ndryshme për gjëra të veçanta, pikëpamje të ndryshme mbi Zotin, por që ata e dinë një gjë që kanë vetëm një Zot, ku edhe për këtë ai tha se edhe partitë politike mund të kenë pikëpamje të ndryshme mbi situatën por ai theksoi që ata duhet të dinë se kanë një shtet.Lidhur me atë sesi do të ndikojë pjesëmarrja e tij në objektin e Katedrales Katolike në kohën kur e gjithë bota po rrezikohet nga ekstremizmi, Tërnava tha se nuk është hera e parë që gjendet në Katedrale, dhe se ky takim do të reflektojë pozitivisht dhe asgjë tjetër sepse besimtarët e Kosovës e dijnë kush është myftiu.