FIA: Drafti të rikthehet për riformulim, anëtarësimi i detyrueshëm taksë e fshehtë

Shoqata e Investitorëve të Huaj i ka kërkuar Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që të rikthejë në Ministrinë e Ekonomisë projektligjin që i detyron bizneset të anërësohen në Dhomën Publike të Tregtisë. Sipas kësaj Shoqate, drafti nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe në të nuk qartësohet se përse do të përdoret tarifa e detyrueshme e anëtarësimit, që investitorët e huaj e konsiderojnë taksë të fshehtë.Investitorët e huaj i kanë kërkuar zyrtarisht Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese rikthimin në Ministrinë e Ekonomisë të  projektligjit për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomën e Tregtisë për riformulim.Shoqata e Investitorëve të huaj shpjegon në letrën e saj se projektligji nuk iu është shpërndarë  paraprakisht për konsultim me grupet e interesit që lobojnë për interesat e biznesit,  në mënyrë që të gjithë palët të kenë kohën e nevojshme dhe qartësinë për të shqyrtuar dhe komentuar mbi thelbin e ndryshimit të propozuar.Duke e konsideruar tarifën e detyrueshme të antarësimit si një taksë të fshehtë, Shoqata e investitorëve të huaj thekson se projektligji nuk parashikon asnjë qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e shërbimeve që Dhomat ose Bashkimi i Dhomave angazhohen se do të kryejnë për anëtarët kundrejt një pagese të tillë të detyrueshme nivelin e përfaqësimit dhe strukturën, përsa i përket organeve vendimmarrëse dhe qeverisëse, rregullat dhe parimet sesi do të promovohen, lobohen ose të mbrohen interesat e anëtarëve.Bazuar në keto arsye, investitorët e huaj i kërkojnë Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që ta rikthejë draftin në Ministrinë e Ekonomisë për konsultim me grupet e interesit.