Kryeparlamentari izraelit takon Nishanin dhe Metën: Të forcojmë bashkëpunimin
Kryetari i Parlamentit të Izraelit vizitoi sot Tiranën ku zhvilloi takime me presidentin Bujar Nishani dhe homologun Ilir Meta. Gjatë takimeve u vlerësua miqësia e hershme mes dy vendeve, ndërsa u nënvizua domosdoshmëria e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.Kryetari i Knesset, siç njihet Parlamenti izraelit, Yuli-Yoel Edelstein vizitoi Tiranën ku u prit nga zyrtarët më të lartë të shtetit.Presidenti Nishani nënvizoi gjatë takimit se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të hershme dhe për këtë arsye nevojitet forcimi i bashkëpunimit ekonomik.Nishani: Zoti Edelstein është nga ato figura që hapësirën zyrtare të funksionit e mbushi me përkushtimin shpirtëror. Është kjo arsye që marrëdhënien midis dy vendeve, dy popujve, dy parlamenteve, ai e ka vendosur jo vetëm në një dimension historik, por edhe në raporte të larta vlerësimi njerëzore siç i takon të jetë miqësia midis popullit izraelit dhe atij shqiptar.Kryeparlamentari izraelit u prit edhe nga kryetari i parlamentit Ilir Meta ku dy homogët vlerësuan miqësinë mes dy popujve, por folën edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ekonomik.Në qendër të bisedës ishte edhe mbështetja që shqiptarët u dhanë hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.Meta: Na mbetet që këtë miqësi të fortë ta kthejmë në një avanatazh për të përfituar sa më shumë qytetarët e dy vendeve tona nga kjo erë e re e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Izraelit. Ndaj ne jemi të vendosur të rrisim shkëmbimet parlamentare.Edelstein: Ishte i vetmi vend, Shqipëria, në të cilin komuniteti ynë u rrit në shifra pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhënia midis dy vendeve tona janë të bazuara në një miqësi ndërmjet dy popujve tanë, një miqësi që ka ekzistuar edhe përpara krijimit të shtetit të Izraelit. Me kënaqësi mund të them që ne mund të shikojmë iniciativa në fusha të ndryshme si ato të ekonomisë, turizmit, teknologjisë dhe të tjera, që do të vazhdojnë të ecin përpara.Meta dhe homologu i tij izraelit vizituan edhe një eskpozitë me fotografi nga Izraeli dhe Shqipëria të hapur në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit.