Parku tek Liqeni, PD: Do ndërtohen kafe, bashkia: Projekt për fëmijët

PD dhe Bashkia e Tiranës janë përplasur sot në deklarata për projektin e një këndi lojërash për fëmijë në zonën e Parkut pranë Liqenit Artificial. Sipas PD Bashkia po bën një ndërtim të paligjshëm në një zonë të mbrojtur me qëllime klienteliste dhe korruptive. Në reagimin e saj bashkia e Tiranës hodhi poshtë deklarata e PD . Këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ditjon Baboçi, tha se "Ata që e shkatërruan qytetin në 4 vitet e fundit, nuk do të pengojnë zhvillimin e Tiranës"Tabaku: Erion Veliaj, jo vetëm është duke bërë një ndërtim të paligjshëm brenda Parkut të  Liqenit, duke prekur një zonë të mbrojtur, duke prerë pemë, duke shkelur aty ku askush nuk guxoi për 25 vite, por ai po fsheh qëllimin e tij kryesor, klientelist e korruptiv. Eshtë kafja dhe restoranti që do ia japë mikut të tij, arsyeja kryesore pse Erion Veliaj po ndërhyn në Parkun e Liqenit.Kryetari i Bashkisë përpiqet ta fshehë këtë, me pro​pagandë bajate sikur ai dhe vetëm ai mendon për fëmijët e qytetit.E vërteta është se ai po mendon për klientelën dhe përfitimet e tij.Këtë deklaratë të Partisë Demokrtike Bashkia e Tiranës e ka quajtur keqinformim të publikut pasi sipas saj në projektin e parkut të lojërave për fëmijë nuk parashikohet asnjë ndërtim kafeneje apo restoranti, ashtu sic ka pretenduar selia blu.Ditjon Baboçi: Në qoftë se mund të vijë dikush tek kjo hartë e projektit dhe të na tregojë se ku është kafja, ku është restoranti, ku është dera dhe ku paguhet bileta, bujrum, të na e shpjegojnë! Por, në këtë projekt nuk ka asgjë të tillë!Projekti është i ndarë në 8 elementë të ndryshëm, për mosha të ndryshme të fëmijëve; 1-3 vjeç, 3-6 vjeç; 6-9 vjeç dhe për moshën 12 vjeçare.Këshilltari i kryebashkiakut Veliaj, Ditjon Baboçi shpjegoi se Projekti parashikon ndërtimin e një parku publik i cili zhvillohet me fonde publike, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe që do të përdoret nga kryeqytetasit pa asnjë pagesë apo asnjë kosto ekstra.Ditjon Baboçi: Nuk ka as edhe një element të huaj, përveçse një parku lojërash për fëmijë me elementë të ndryshëm argëtues e dëfryes, pa asnjë element privat, pa asnjë pagesë për të hyrë dhe për ta përdorur. Projekti parashikon ndërtimin e një parku publik që zhvillohet me fonde publike, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe që do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Tiranës pa asnjë pagesë dhe asnjë kosto ekstra.Disa ditë më parë disa të rinj shkatërruan rrethimin e bërë nga bashkia e tiranës në vendin ku është parashikuar ndërtimi i parkut të lojërave për fëmijë.Pavarësisht kësaj kryebashkiaku Veliaj deklaroi se nuk do të zbrapset nga zbatimi i projekti.