Energjia elektrike, PD propozon falje të 90-150 kwh për të varfërit
Nisma e shoqërisë civile për të falur një fashë të energjisë elektrike për familjet në nevojë është mbështetur nga deputeti demokrat Gerti Bogdani. Në relacionin paraqitur Komisionit të Ekonomisë, Bogdani kërkon falje të 90-150 kilovatë në muaj për këtë shtresë, ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe tha se propozimi duhet t'i kalojë Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani mbështeti iniciativën e shoqërisë civile duke i propozuar Kuvendit, falje të një limit fashe të energjisë elektrike për familjet e varfëra.Sasia e menduar për t'ua dhënë falas familjeve në nevojë, është ndarë në dy fasha; në atë të dimrit dhe atë të verës që nis nga 90 kwh deri në 150 kwh në muaj për familje. Përfitues të kësaj nisme janë rreth 82.000 persona të identifikuar në nevojë. Gerti Bogdani: “Për gjashtë muajtë e parë të vitit rreth 90kwh të cilat janë të nevojshme thjesht për ndriçim, gatim apo punë të tjera shtëpiake dhe 150kwh gjatë muajve të dimrit ku shtohen dhe kwh për ngrohje.” Vlera totale e faturës vjetore, që OSHEE do të zbresë nga të ardhurat, është rreth 1.12 miliardë Lekë, ose rreth 9 milionë USD në vit.Dashamir Shehu: “Ke çuar policët të mbledhin lekët, kë ngritur çmimin. Do bësh një lëshim.”Edmond Spaho: “Dekoderat që i dhatë falas për të varfërit t’i anulojmë dhe ata para t’i japim për dritën elektrike.”Erion Braçe: “Puna e dekoderave është brenda një kredie që është miratuar në parlamentin e Shqipërisë gjatë një kohe që këtë Komision e drejtoje ti.”Kryetari i komisionit, Erion Braçe tha se komisioni përgjegjës për këtë propozim është ai i Punës dhe Çështjeve Sociale.Erion Braçe: “E mbyll këtu derisa Komisioni Përgjegjës të fillojë shqyrtimin e procedurës dhe natyrisht qeveria të ketë kthyer opinionin e saj lidhur me nismën e deputetit Bogdani." /Oranews.tv/