Reforma në drejtësi,Gjosha: Të votohet brenda marsit, kyçe për negociatat
Prioritet kyç për rrugën e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, mbetet reforma në drejtësi. Kështu u shpreh nga Shkodra Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e cila kërkoi që palët politike të gjejnë dakordësinë dhe të miratojnë brenda muajit mars këtë reformë jetike për vendin. Në një linjë me Ministren Gjosha ishin dhe përfaqësues të delegacionit të BE, të pranishëm në aktivitetin e mbylljes së projektit ndërkufitar IPA Shqipëri-Mali i Zi.Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, kërkoi nga palët politike të gjejnë dakordësisë dhe të miratojnë brenda marsit reformën në drejtësi, si një domosdoshmëri për integrimin evropian të Shqipërisë.Klajda Gjosha: Çelësi për hapjen e negociatave mbetet reforma në drejtësi dhe unë shpresoj që në muajt në vijim dhe muaji mars ndoshta do të jetë ai që do të shënojë finalizimin e reformës. Shpresoj dhe i bëj thirrje palës shqiptare në maturimin e tyre, në përgjegjësi të madhe për ta votuar këtë reformë me konsensus të plotë për ta bërë atë edhe më të besueshme për qytetarët shqiptarë, por edhe ndërkombëtarët.Në një linjë me Ministren e Integrimit ishte dhe shefi i operimeve në delegacionin e BE-së në Shqipëri, Yngve Engstroem, kur thotë se pas miratimit nga klasa politike të reformës në drejtësi, do të jetë unioni që do të thotë fjalën e tij përmes vlerësimeve.Yngve Engstroem: Duhet të ketë një strategji të miratuar nga parlamenti për reformën në drejtësi. Në momentin që parlamenti të miratojë draftin, Komisioni do të bëjë një raport vlerësimi dhe në fund do të vendosë nëse është koha për hapjen e negociatave. Sa i përket partive politike dhe qëndrimeve të tyre, ne thjesht kemi një konfirmim që ato duan ta bëjnë këtë reformë. E kuptoj padurimin e qytetarëve, por ka detyra shtëpie për t'u bërë dhe reformat duhet të zbatohen.Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ishte në Shkodër sëbashku me homologët e Malit të Zi dhe përfaqësues të BE, në kuadër të mbylljes së projektit ndërkufitar IPA Shqipëri- Mali i Zi me fond 600 mijë euro.Pas konferencës palët panë nga afër panairin me botime nga aktivitetet në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, fushës ekonomike etj./Oranews.tv/