Shkoi të ndihmonte pronarin e lokalit në Konispol, grabitësi e vret me plumb në kokë
Një ngjarje e rëndë u shënua pas mesnatës së të premtes, 12 shkurt 2016, pranë një lokal në fshatin Shkallë të bashkisë Konispol. Një 44-vjeçar është qëlluar për vdekje me armë zjarri, nga një grabitës që po vidhte lokalin e fqinjit, në fshatin Shkallë të bashkisë Konispol.Nga hetimet paraprake ka rezultuar se një person i paidentifikuar ka shkuar për të vjedhur në lokalin e shtetasit Arqile Boçi në dalje të fshatit Shkallë.Pronari i lokalit që ka edhe banesen ngjitur me lokalin ka dëgjuar se dikush ka hyrë në lokalin e tij dhe ka njoftuar një bashkëfshatarin e tij për ndihmë, shtetasin Pajtim Shehu. "Gjatë momentit që bashkëfshatari po shkonte për ndihmë, personi i paidentifikuar ka qenë duke u larguar nga lokali nga ku kishte marre rreth 10,000 lekë të rinj (monedha) dhe në anën e pasme të lokalit ka qëlluar me armë zjarri shtetasin: P.Sh. 44 vjeç, i cili ka mbetur i vdekur" thuhet në njoftimin e sotëm të policisë së Sarandës.Autori i ngjarjes është larguar menjëhere pas kryerjes së krimit.19 të shoqëruar- Është ngritur një grup i posaçëm hetimor si dhe janë ngritur postoblloqe për kapjen e autorit. Deri më tani, Policia informon se ka shoqëruar 19 persona (si të dyshuarit kryesorë në atë zonë) si dhe është bllokuar një automjet i cili mendohet se mund të ketë lidhje me autorin (ngjarjen).Policia e Vlorës informon se gjithë strukturat e Policisë, specialiste kriminalistikë dhe të krimeve të rënda të saj, janë duke punuar për dokumentimin e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
/Oranews.tv/