Haradinaj: Vlerësimet e Ymerit të parëndësishme, kemi dakordim të fuqishëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë dhënë transmetuesit publik, tha se komentet e kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, rreth pjesëmarrjes së tij në takimin te presidentja janë të parëndësishme krahasuar me dakordimin që ka opozita në kundërshtimin e degradimit të shtetit.

“Është i parëndësishëm vlerësimi i tij. Kemi dakordim për kundërshtim në degradim të shtetit. Nuk lodhem fare për vlerësimin e Ymerit. Lodhem për rolin e Aleancës dhe opozitës në kauzat tona”, tha Haradinaj.Duke mohuar kategorikisht se AAK kishte qëllim përfshirjen në koalicionin qeveritar, ai tha se AAK synon të përfshihet në listë të përbashkët zgjedhore me VV-në e NISMË-n, si dhe një pjesë të shoqërisë civile.Lideri i AAK-së tha se AAK ka dallime me VV-në e NISMË-n, mirëpo, sipas tij partneriteteti mes partive opozitare është partneritet i të ndryshmeve, që ai e quan të sinqertë.“Kemi partneritet të të ndryshmëve. Ajo që është e vërtetë është se ka një sinqeritet në partneritet në kundërshtim të degradimit të vendit”, tha Haradinaj.Ai ritheksoi edhe njëherë se shkuarja e tij në takim te presidentja nuk do të thotë ndërrim i qëndrimeve të AAK-së.“Nuk guxojmë të kalojmë në vetizolim. Duhet me fitu simpati edhe nga ndërkombëtarët”, tha tutje lideri i AAK-së.Ndërkaq, ai tha se opozita e bashkuar nuk do të lejojë mbajtjen e seancave në Kuvendin e Kosovës, madje as seancën e përfolur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.“Nuk do të lejohet mbajtja e seancës, e asnjë lloj seance. As për zgjedhje të presidentit. Nuk do të ndryshojë qasja e opozitës. Nuk ndryshon asgjë në qëndrimet e opozitës”, potencoi Haradinaj.Ai tha se të gjitha qëndrimet e tij publike i kishte thënë edhe në takimin me presidenten dhe kryeministrin Isa Mustafa e zëvendësin e tij, Hashim Thaçi.Ndërkaq, sa i përket skepticizmit të ambasadorit amerikanë në Kosovë, Greg Delawie, rreth takimit dhe të arriturave në këtë takim, Haradinaj tha se u ndje i habitur me qëndrimet e tij.“Vlerësimet e mija për zhvillimet në vend nuk janë të reja. Shteti është i kapur. Bordet janë skajshëm të politizuara. Gjyqësori është i ndikuar politikisht. Problemet në ekonomi, korrupsion i lartë. Problemet në siguri, nuk është votuar ushtria. Dështimet në njohje, dështimi i politikës së jashtme dhe dështimi në UNESCO. Janë të gjitha këto që dihen”, tha Haradinaj.17 shkurti do të jetë dita kur opozita mban protestën e ardhshme për të kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Haradinaj tha se kjo protestë do të jetë e qetë dhe masive.Po ashtu, i pari i AAK-së tha se AAK-ja synon të shkojë në një listë të përbashkët zgjedhore me VV-në e NISMË-n, duke mos e mohuar edhe përfshirjen e një pjese të shoqërisë civile në këtë listë, si dhe partive të tjera. /KosovaPress/