Krimi mjedisor, Rama paralajmëron masa të ashpra: Në 10 vite rikuperojmë dëmet
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra për të ashtëquajturin krim mjedisor.Teksa akuzoi qeverinë e kaluar për dhënie leje jashtë kritereve për shfrytëzimin e pyjeve, Rama tha se shumë shpejt do të miratohet paketa për ndryshimet në kodin penal kundër krimit mjedisor.Rama: Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës.Deklaratat e kreut të ekzekutivit u bënë gjatë mbjelljes së 3000 fidanëve në zonat e degraduara të Elbasanit, kryesisht përgjatë lumit Shushicë dhe Shkumbin të prekur nga përmbytjet.Ky projekt, tha Rama, është i një rëndësie të veçantë për të kuptuar abuzimet që janë bërë me pyjet.Ndërkaq Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se masaj ndaj këtij fenomeni do të jenë afatgjata.Koka: Masat që ne kemi parashikuar janë shumë dimensionale, që nga Moratoriumi që unë e konsideroj një vendim historik. Ne kemi filluar rehabilitimin në disa zona shumë të degraduara siç është dhe ky rast në fjalë, por për gjatë gjithë vitit, planet janë për të punuar në vijimësi.Ky projekt i ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit parashikon ndër të tjera, sistemimin e shtratit të lumit pranë urës Polis, Valë dhe përgjatë rrjedhës, thellimin e shtratit të lumit, si dhe pastrimin e materialeve inerte te grumbulluara aty.