AAK: Nuk përfshihemi në koalicione, Qeveria përgjigjen e merr më 17 shkurt
Nga OraNews Përditësimi i fundit 30 Janar 2016, 21:31
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj fjalëve ditëve të fundit se partia mund të përfshihet në kalkulime politike për të zënë vend në Qeveri.
AAK thotë se për qëndrimin e saj rreth mënyrës së qeverisjes, Qeveria do ta marrë përgjigjen më 17 shkurt.
Sipas AAK-së, “shkrimet e fundit në media për gjoja një koalicion të ri qeverisës ku do të përfshihej edhe AAK, janë trillime ordinere, që për qëllim kanë diskreditimin e AAK-së dhe liderin e saj Ramush Haradinaj. ““Për hir të informimit të saktë, e njoftojmë opinionin publik, se nuk ka asgjë të vërtetë nga pazaret imagjinare për një qeveri ku do të përfshihej AAK-ja, dhe se kjo parti, së bashku edhe me dy partitë tjera opozitare, do të vazhdojë kauzën e saj të drejtë e të vendosur në ndaljen e degradimit të mëtutjeshëm të qeverisjes së vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.Tutje, AAK thotë se ata që e kanë katandisur vendin në këtë gjendje duhet të japin përgjegjësi, e jo të përfshihen në trillime ordinere, për gjoja marrëveshje të AAK-së me koalicionin PDK-LDK.“Se cili do të jetë qëndrimi i AAK-së për qeverisjen në vend, në besojmë se qeveria, do ta marrë përgjigjen me 17 shkurt”, thuhet në komunikatë.“Në vazhdën e sulmeve të paskrupullta ndaj AAK-së dhe kryetarit të saj Haradinaj, që janë sforcuar kohëve të fundit, i shohim edhe shkrimet e fundit të gazetës Bota Sot, e cila përpiqet të sajojë ngjarje të paqena, duke e lidhur familjen Haradinaj, me vrasje të cilat tashmë janë zbardhur nga drejtësia dhe për të cilat janë gjetur fajtorët”, thuhet tutje në komunikatë.Ndërkaq, ndaj atyre që shpifin e trillojnë, sipas AAK-së, partia do ta ndjekë praktikën e deritashme duke i denoncuar në gjykatë.“AAK si parti politike, do të vazhdojë të jetë e palëkundur në mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, pavarësisht se sat ë forta do të jenë shpifjet kundër saj!”, thuhet në fund. /KosovaPress/