Tahiri letër "Corriere TV" dhe "Daily Mirror": Pasqyroni të pavërteta
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u ka dërguar letër 2 redaksive të lajmeve, Corriere TV në Itali dhe britanikes në versionin online Daily Mirror."Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj", shkruan ministri.Ministri thekson se fitorja më e madhe e terroristëve është krijimi i hijes së armikut edhe aty ku duhet të ketë besim, duke shkatërruar kështu mundësinë që qytetarët dhe shoqëritë tona të ndërtojnë solidaritetin e domosdoshëm të vlerave që duhet ti kundërvihet të keqes së përbashkët."Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist", nënvizon ministri i Punëve të Brendshme.Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë."Ndaj, i nderuar, më lejoni t'ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë", shkruan Tahiri.Corriere della Sera në një reportazh të disa ditëve më parë, shkruante se nga Shkodra trafikoheshin armë fillimisht drejt Malit të Zi, e më tej me destinacion grupet mafioze, ku nuk përjashtohej përfundimi i tyre në duart e esktremistëve të ISIS që kryejnë sulme terroriste në Europë.Ndërsa Daily Mirror në një shkrim të sajin theksonte se pas operacionit të policisë në vitin 2014 që shënoi ndërhyrjen e parë të shtetit kundër kultivimit të kanabisit në Lazarat, parcelat e drogës janë në pushtetin e ISIS që e trafikon atë në vendet e Europës./Oranews.tv/