Serbia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, lajmin e jep Vuçiç
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka vendosur që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ai gjatë një mbledhjeje të Partisë Progresiste.Hapi i rradhës për kreun e ekzekutivit do të jetë thirrja e një takimi me aktorët kryesorë politikë të vendit, ku do të diskutohet një zgjidhje konsensuale për shpërndarjen e Parlamentit ose dorëheqja e tij. Në këtë mënyrë, Presidenti Tomislav Nikoliç do të ketë mundësi që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.Alexandar Vuçiç ka argumentuar përpara anëtarëve të partisë së tij, se ky vendim është marrë për të zgjidhur ngërcin politik në vend, i cili po bllokon një sërë reformash mjaft të rëndësishme për të ardhmen. Sipas tij, një rrjet me politikanë dhe kriminelë, po pengon në zhvillimin e mëtejshëm të Serbisë.Kreu i ekzekutivit nënvizoi gjithashtu se kabinetit të tij i duhet një votëbesim edhe më i madh në mënyrë që të ketë një shumicë të theksuar në parlament. Zgjedhjet e mëparshme në Serbi u mbajtën në Mars të vitit 2014.