Haradinaj: Përshtatja e Kosovës ndaj rajonit, çon në konflikte e luftra

Në fjalimin e tij, në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së në Podujevë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndër tjerash foli edhe për situatën aktuale politike në vend.

Haradinaj, tha se është hera e parë që nga paslufta, që kundër pushtetit, i cili sipas tij, po vepron kundër interesave të qytetarëve Kosovës, ka një kundërshtim të organizuar.Sipas Haradinajt, me vetë kundërshtimin e vazhdueshëm të dy marrëveshjeve të rrezikshme, siç është Zajednica me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi, Kosova ka arritur një ekuilibër më të afërt politik. Këto dy marrëveshje, Haradinaj tha se kanë rrezikuar gjithë atë që është arritur, madje edhe pavarësinë e Kosovës.Haradinaj tha se Kosova nuk guxon të jetë e pakujdesshme. Sipas tij, nuk duhet të jetë Kosova ajo që duhet ta marrë me të mirë regjionin, sepse nëse vazhdohet kështu, Kosova do të zhbëhet. Kjo, sipas tij, mund të çojë edhe në luftëra.Edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, Haradinaj tha se nuk duhet përshtatje deri në këtë masë, derisa tha se ata që i janë përshtatur plotësisht bashkësisë ndërkombëtare, kanë harruar për çfarë ka nevojë populli i Kosovës. “Botës i duhemi më shumë nëse ne e dimë se çka duam”, theksoi Haradinaj.Haradinaj porositi që edhe përshtatja ndaj bashkësisë ndërkombëtare të jetë më mirë e menduar. Sipas tij, Kosova duhet të përkujdeset për interesat e veta, pasi kjo do të jetë njëkohësisht ndihmë edhe për botën.Po, ashtu, Haradinaj tha se nëse Kosova vazhdon me logjikën e përshtatjes, kjo gjë mund të shkaktojë konflikte dhe luftëra. Sipas tij, mbrojta e sovranitetit, pamundësimi që Beogradi të ketë fuqi vendimmarrëse në Prishtinë, është kontribut drejt paqes për rajonin.“E, në rast se ne vazhdojmë me u përshtatë e me leju tjetrin me vendos te na, ajo është një përziemje e keqe, ajo mund të shkaktojnë konflikte, pra luftëra. Mbajtja e këtyre raporteve, mos me lejua Beogradin me pas vendimmarrje në Prishtinë e në Kosovë, është kontribut drejt paqes për rajonin. Ne si shqiptarë që nuk i kemi borxh askujt prej fqinjve, pse atëherë po u dashka me u marrë prej neve për paqen në Ballkan. Nuk ka kuptim”, tha Haradinaj.Haradinaj tha se në të gjithë botën politika dhe përfaqësimi janë sfera interesi. Sipas tij, korrupsioni nëpër institucionet e vendit, është i palejueshëm dhe është pengesa kryesore për ecjen përpara.Ai tha se korrupsioni ka prishur jo vetëm vlerën materiale, por ka prishur edhe vlerat tjera, kështu duke vendosur interesin personal përpara atij kombëtar.Ndërsa, pas zgjedhjes së Këshillit Drejtues prej 30 anëtarëve, dega e Podujevës ka zgjedhur edhe kryetarin e ri të saj, Fatmir Humolli.Po ashtu, dega e AAK-së në Podujevë zgjodhi forumet drejtuese të partisë edhe në Aleancën e Gruas dhe Aleancën e të RinjvePas marrjes së besimit për të udhëhequr me degën, delegatët e Kuvendit i ka përshëndetur dhe falënderuar për besimin edhe kryetari i sapozgjedhur i kësaj dege Fatmir Humolli, i cili u zotua se do të vazhdoj me punë dhe përkushtimënë forcimin e mëtejmë të Aleancës në Podujevë, si dhe adresimin e çështjeve jetike për këtë rajon. /KosovaPress/