Impianti i përpunimit të ujrave, rreth 700 mijë qytetarë përfitojnë nga projekti

Impianti i Përpunimit të Ujërave të Zeza në kryeqytet pritet të përfundojë në vitin 2017 dhe nga ky projekt do të përfitojnë rreth 700 mijë qytetarë.Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi se punimet po ecin me ritme të shpejta dhe ky projekt do zgjidhë njëherë e mirë trajtimin e ujërave të zeza, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës  Erion Veliaj u shpreh se kjo ndërhyrje vjen pas braktisjes 50 vjeçare.Pas shtimit te fondeve projekti i impiantit të përpunimit të ujërave të përdorura në kryeqytet do ti shërbejë rreth 700 mijë qytetarëve.Gjatë inspektimit të punimeve Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi se kjo vepër ndër të tjera është edhe një mundësi e madhe për punësim.Haxhinasto: Vepra është një mundësi e madhe punësimi. Gjëja më e rëndësishme është që produkti do të jetë shumë cilësor dhe do u shërbejë aktualisht, sipas të dhënave teknike dhe sipas projektit, rreth 350 mijë banorëve të Tiranës, por mundësia është që me një ndryshim teknologjik që jemi duke e diskutuar me kontraktorin, kjo vlerë të dyfishohet. Ky është një lajm shumë i mirë, pasi me një shtesë të investimit sa i takon procesit teknologjik, kjo sasi mund t’u shërbejë rreth 700 mijë banorëve të Tiranës dhe do të jetë një sukses i këtij projekti.Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas më shumë se 50 vitesh, po ndërhyhet për kanalizimet dhe pastrimin e ujërave të zeza dhe pasojat janë ndjerë gjatë përmbytjeve të fundit.Veliaj: Nga ky projekt do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës, pra gjysma e popullsisë zyrtare, që merr shërbime në qytet dhe besoj se vjen në një kontekst ku pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë pak më të ndjeshëm për infrastrukturën që kemi trashëguar.Dua t’ju kujtoj qytetarëve një histori të thjeshtë, se për projektin e pastrimit të ujërave të ndotura në Tiranë është menduar që në vitin 1960. Me gjithë padurimin që këto projekte të ecin sa më shpejt, besoj se është ecur më shpejt në këto dy vite me këtë projekt se sa në 50-60 vitet e fundit.Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, në zonën e pellgut të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në zonën e Kasharit.