SHBA, ligjvënësit kërkojnë veprime kundër Sirisë

Ligjvënësit amerikanë kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë konstatimet që Siria ka përdorur armë kimike. Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë informoi ligjvënësit amerikanë se beson që qeveria e Presidentit Bashar al-Asad ka përdorur sasi të vogla gazi sarin, një armë kimike gjatë konfliktit të përgjakshëm civil në Siri.Deklarata u prit me reagime të forta nga ligjvënësit, që u ndje edhe në komentet e tyre. Në një intervistë për programin televiziv Meet the Press, senatori republikan John McCain kërkoi veprime të menjëhershme.“Armatosja e kryengritësve sirianë, ndihma për refugjatët dhe përgatitjet për një forcë ndërkombëtare që të ndërhyjë për t’i vënë nën kontroll stoqet e armëve kimike e ndoshta edhe armët biologjike që mund të ekzistojnë. Këto armë nuk duhet të bien në duart e xhihadistëve” tha ai. Senatori McCain bëri gjithashtu thirrje për vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh mbi Siri.Shtëpia e Bardhë tha se kërkon nga Kombet e Bashkuara të konfirmojnë bindjen e Shteteve të Bashkuara se armët kimike janë përdorur. Presidenti Obama është shprehur se ekziston një vijë e kuqe dhe se nëse kalohet kjo vijë, Amerika do të përgjigjet.Senatori McCain tha se qëndrimi i administratës nuk ka arritur të ndalë gjakderdhjen në Siri.“Presidenti tha se vija e kuqe është deri tek përdorimi i armëve kimike, pra i ka dhënë Asadit dorë të lirë të bëjë ç’të dojë, përfshirë përdorimin e raketave Scud, helikopterëve luftarakë, goditjeve ajrore, ekzekutimeve në masë dhe masakrave të gjera, për sa kohë që nuk përdor armë kimike” shtoi ai.Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihma jo-vdekjeprurëse për opozitën siriane. Administrata Obama nuk ka reaguar ndaj thirrjeve që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri, duke thënë se regjimi i Presidentit Asad do të marrë fund, pavarësisht nga veprimet amerikane.Por edhe disa aleatë demokratë të Presidentit Obama në Kongres thanë se Amerika duhet të bëjë më shumë.“Besoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol më të madh në përgjigje të krizës humanitare. Konflikti ka pasur pasoja që janë ndjerë edhe në Jordani e në Liban, ka pasur dyndje regugjatësh jashtë si dhe persona të vendosur brenda Sirisë. Konflikti ka shkaktuar vuajtje masive, prandaj nuk mendoj se superfuqia e botës mund të qëndrojë duarkryq” tha senatori Keith Ellison në një intervistë për emisionin Meet the Press.Ligjvënësi republikan Peter King tha se, duke qenë se është vendosur vija e kuqe për veprimet e regjimit sirian, nënkupton që duhet të bëhet diçka kur kapërcehet kjo vijë. As ligjvënësi dhe as administrata Obama nuk kanë folur në hollësi lidhur me veprimet që duhen ndërmarrë.