Opozita thirrje Amerikës: Na lejoni të vendosim vet për vete

Tubimi i liderëve opozitarë me aktivistë sot nuk nisi me fjalimet e tyre, siç ndodh zakonisht. Ata kishin përgatitur një video në të cilën kishin përmbledhur disa deklarata të qeveritarëve për disa nga ngjarjet dhe premtimet më të rëndësishme të cilët i dhanë që nga koha e fushatës zgjedhore.Duke kujtuar vendet e reja të punës, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, anëtarësimin në UNESCO, liberalizmin e vizave, përmes kësaj video, opozita tha se këto janë vetëm disa nga premtimet dhe deklaratat e pavërteta të liderëve të koalicionit qeverisës, për mos-realizimin e të cilave ata duhet të japin llogari.Opozita kërkoi nga Amerika që t’iu lejohet qytetarëve të Kosovës që të vendosin vet për vendin e tyre. Në këtë tubim, opozita bëri thirrje për dalje masive në protestën e 9 janarit, ku thanë se është dita kur do t’i kërkohet llogari e dorëheqje qeverisë së koalicionit.Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pati një kërkesë për Amerikën.Ai foli edhe për rolin e Kosovës në Evropë. Bashkimi Evropian, sipas Haradinajt duhet të ndjejë turp për gjendjen e keqe të të rinjve kosovarë, në të cilën ndodhen tani.Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar që kauza e opozitës ishte e drejtë.Ndërsa Visar Ymeri i Vetëvendosjes tha se të gjithë, përfshirë ekspertët, deputetët e koalicionit qeveritar, e edhe Gjykata Kushtetuese, tani po e thonë atë që opozita e bashkuar e ka treguar që nga nënshkrimi i dy marrëveshjeve.Opozita me këtë rast ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës më 9 janar, me fillim prej orës 14:00 te Biblioteka Kombëtare e Kosovës për të vazhduar në sheshin e Prishtinës.