Opozita protestë në Prizren, kundër Zajednicës dhe demarkacionit

Opozita e bashkuar në vazhdën e manifestimeve nëpër qytete të Kosovës, sot kërkoi nga qytetarët e Prizrenit mbështetje për ndalimin e marrëveshjeve për krijimin e komunave serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacioni.Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke iu folur qytetarëve tha se qytetarët e Prizrenit e dinë se çfarë do të thotë të kenë udhëheqës të korruptuar, e që sipas tij janë të njëjtë me Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët po e tkurrin shtetin me demarkacion.“Ju qytetarë të Prizrenit e dini shumë mirë se çfarë do të thotë me pas kryetarin e komunës edhe të korruptuar, edhe të dënuar, por edhe në pushtet. Po ashtu, ju e dini se çfarë do të thotë të keni politikanë të korruptuar të cilët janë në pushtetin qendror dhe e kanë uzurpuar këtë pushtet. Dje prokurorët dhe gjykatësit e këtij pushteti ua kanë vazhduar edhe për 60 ditë paraburgimin...regjimi policorë i treshes famëkeqe Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli është ngritur kundër popullit, sepse është ngritur kundër përfaqësuesve të qytetarëve të kësaj Republike. Këtë republikë kjo treshe famëkeqe po e kërcënon me “Zajednicë”, këtë republikë po e tkurrin me demarkacion”, tha Ymeri.Ndërsa, lideri i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj nga qyteti i Prizrenit i dërgoj dy porosi te pushtetarët, se opozita e bashkuar do të qëndroj së bashku deri në ndalimin e marrëveshjeve, dhe se nuk ka shpëtim dhe këto dy marrëveshje do të anulohen.“Në nga këtu shfrytëzojmë rastin ti bëjmë thirrje menjëherë t’i lirojnë të burgosurit politik, burrat deputetë të parlamentit të Kosovës. Por, ne gjithashtu nga Prizreni iu çojmë porosinë dhe mesazh se opozita do të qëndroj e bashkuar deri në arritjen e këtyre objektivave. Porosia tjetër është, nuk ka asnjë mas represive, as burgosje, as dhunime që mund t’i ndalë deputet e parlamentit të Kosovës, opozitës së bashkuar për ta pamundësuar realizimin e këtyre dy marrëveshjeve. Ne e dimë që kjo ka me ndodhë. Ju kujtohet se ata për Jabllanoviqin u detyruan tre muaj apo katër muaj me prit dhe ta shkarkojnë atë, ju kujtohet! Unë nuk e di pse po e vonojnë edhe këtë punë?! Kjo vonim ka, po shpëtim s’ka. Këto marrëveshje nuk kalojnë”, tha Limaj. /Kosovapress/