Edhe të miturit shqiptarë me sytë nga Gjermania, në 1 vit mbi 700 kërkuan azil
Në një kohë kur institucionet konfirmojnë një rënie të kërkesave për azil në vendet e BE, për të miturit ndodh e kundërta. Vetëm përgjatë 10 muajve të 2015, sipas Eurostat janë rreth 730 të mitur shqiptarë të pashoqëruar nga mosha 14 deri në 17 që i kanë kthyer sytë drejt azilit si mundësi më e mirë për të jetuar. Ndërkohë që numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani deri në muajin nëntor ka shkuar në mbi 52 mijë.Rritet në mënyrë drastike numri i të miturve të pashoqëruar që kërkojnë azil drejt vendeve të BE.Sipas statistikave të ofruara nga Eurostat që prej janarit të 2015 deri në tetor numërohen rreth 730 të mitur të moshës 14 -17 vjeç që kanë aplikuar për azil, kryesisht në Gjermani.Vetëm gjatë periudhës shtator-tetor numri i tyre është rritur ndjeshëm dhe arrin në 340, në një kohë kur në këto dy muaj është shënuar një rënie e kërkesave të shqiptarëve për azil.Të dhënat u bënë publike gjatë prezantimit të profilit të zgjeruar të migracionit 2012-2014.Duke ju referuar fluksit të madh të emigrantëve me të cilat po përballen sot vendet e Bashkimit Europian, zëvendës.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea u shpreh se Shqipëria nuk është imune ndaj këtyre flukseve.Gjebrea: Shqipëria edhe pse nuk është e prekur ende nga valët migratore të përziera, ashtu sikundër janë prekur vendet fqinje si Greqia, Maqedonia dhe Serbia, ka marrë të gjitha masat paraprake për të përballuar një fluks të mundshëm emigrantësh dhe azilkërkuesish që mund ti drejtohen territorit shqiptar me synim kalimin drejt vendeve të BE.Sipas raportit të migracionit, arsyeja e shtimit të kërkesave për azil nga viti 2012 e më pas ka ardhur kryesisht për shkaqe ekonomike.Duke iu referuar të dhënave të fundit, Ambasada gjermane konfirmoi për Ora News shifrën prej 52 mijë e 859 shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në Gjermani nga muaji janar deri në nëntor të këtij viti.