Çako takime me homologët në Ballkan për migracionin dhe terrorizmin

Në kuadër të pjesmarrjes në Forumin e Romës, kreu i policisë së shtetit Haki Çako, zhvilloi disa takime të rëndësishme me homologët e tij të Ballkanit.Çako pati një takim dypalësh me Drejtorin e Policisë Italiane Prefekt Alessandro Pansa dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë italiane Antonio Cufalo, ku u trajtuan disa pika të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy policive.Në këtë takim u shqyrtua situata dhe në veçanti u fol për marrëveshjen trepalëshe për krijimin e trekëndëshit të sigurisë në det ku janë të përfshirë Shqipëria, Greqia dhe Italia.Po kështu u diskutua dhe mbarëvajtja e misionit të fluturimeve ajrore të Guardia di Finanza dhe e Universitetit të Dytë të Napolit për zbulimin e parcelave të kanabisit në territorin e Shqipërisë për vitin 2015.Pati një vlerësim të prezencës së palës italiane në Shqipëri duke nxjerrë në pah një rritje të shkëmbimit të informacioneve në këtë gjashtëmujorin e fundit. U konstatua një rritje e bashkëpunimit me Interforcën dhe Guardia di Finanza prezente në Shqipëri.Në lidhje me projektin IPA 2013 Lufta kundër Krimit të Organizuar për drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor të drejtuar nga Ministria e Brendshme e Italisë, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako i kërkoi palës italiane vendosjen e një rezidenti ekspert në Shqipëri dhe së shpejti ky i fundit do të caktohet në fillim të vitit 2016.Në këtë takim dypalësh u morën angazhime konkrete në drejtim të luftës kundër terrorizmit, migracionit të paligjshëm dhe pastrimin e parave.Çako pati takime me Zëvendësdrejtorin e Policisë Greke zotin Kostantinos Tsouvalis dhe drejtorin e Policisë së Malit të Zi Slavko Stojanovic. Në këto takime u shqyrtua situata dhe u fol për iniciativa konkrete për shkëmbimin real të informacionit.Zëvendës drejtori i Policisë Greke falenderoi për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat duke përmendur se bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë në nivele shumë të larta.Drejtori i Policisë së Shtetit ftoi Drejtorin e Policisë së Malit të Zi të marrë në konsideratë pjesëmarrjen në një marreveshje trepalëshe për sigurinë në det dhe Drejtori i Malit të Zi u angazhua se në rast të një marrëveshjeje trepalëshe mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, Mali i Zi do të jetë shumë i interesuar për të qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje.Një takim i veçantë u zhvillua me drejtorin e Europolit zotin Rob Wainwright ku ky i fundit theksoi se Shqipëria është duke ndjekur rrugën e duhur në bashkëpunimin me organizatën Europol.Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se janë parashikuar masa konkrete për rritjen e kapaciteteve në drejtim të një shkëmbimi konkret të informacionit dhe analizimin e riskut të situatave.