Jahjaga apel partive: Lini anash armiqësitë personale dhe kthejuni dialogut
Në adresimin e saj vjetor, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se po i drejtohet Kuvendit të Kosovës në kohën kur këtë institucion e ka kapluar një krizë e paparë politike.Ajo ka ftuar qeverinë dhe opozitën që me urgjencë të ulen dhe të nisin dialogun për tejkalimin e krizës së krijuar.Jahjaga: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji”.E ka nisur kështu fjalimin e saj të fundit për këtë mandat pesë vjeçar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, para deputetëve të përçarë të parlamentit të vendit të saj.Duke e konsideruar privilegj të madh përgjegjësinë pesë vjeçare në krye të vendit, Jahjaga i bëri thirrje pozitës dhe opozitës të zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog, pasi gazi lotjellës sipas saj nuk ofron zgjidhje. Jahjaga: Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As demokracinë tonë nuk mund ta reduktojmë në numra. Niveli i demokracisë tonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës. Tash për tash mungesa e këtij dialogu rrezikon të zhbëjë parimin fondamental të jetës tonë politike, ta delegjitimizojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë, sikur për kryetarin e një komune që abuzon me detyrë zyrtare dhe pastaj për t’i ikur drejtësisë lejohet të arratiset nga vendi, ashtu edhe për deputetin që rrezikon jetën e të tjerëve. Të dyja janë praktika të mbrapshta, pasojat e të cilave sot i vuan qytetari i Kosovës, të vetmit që sot në Evropë vazhdon t’i mohohet lëvizja e lire.Në Kosovë na duhet më shumë llogaridhënie. Llogaridhënie për bisedimet në Bruksel, llogaridhënie për plan programe zhvillimore, llogaridhënie për veprime dhe mosveprime. Përgjegjësia bie mbi ne, për të gjetur zgjidhje për sfidat tona, sikur që mbajmë përgjegjësinë për zgjedhjet që i bëjmë.Prandaj, ju bëj edhe një herë thirrje subjekteve politike, që pa humbur kohë të ulen në tryezën e bisedimeve. Institucionet i kemi. Proceset ekzistojnë. Kompromiset janë të domosdoshme. Synimet janë të qarta. Ta rivendosim konsensusin bazik për rrugën tonë përpara. Kjo rrugë nuk duhet ta përjashtojë askënd, sepse është rrugë e përbashkët deri në përmbylljen e përpjekjes tonë për ta konsoliduar Kosovën shtet”.Gjatë fjalës së saj deputetët opozitarë u larguan nga salla, por mbajtën premtimin për të mos ndërprerë me gaz lotsjellës fjalimin e saj.Megjithatë ata janë zotuar se nuk do të bllokojnë çdo seancë tjetër sa kohë qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet e nëshkruara në Bruksel.Mandati i Presidentes Atifete Jahjaga përfundon në fund të marsit të vitit 2016.

