Itali, bisedimet e vështira për qeverinë e re
Presidenti italian, Giorgio Napolitano i nisi ditët e para të mandatit të dytë me bisedimet për formimin e qeverisë së re.Napolitano priti dje në zyrën e tij krerët e dy dhomave të parlamentit dhe delegacionet e PD-së së Bersanit dhe PDL-së së Berlusconi-t. Që të dyja këto forca politike kanë rënë dakort në parim për votuar qeverinë e re, megjithëse kjo do të shihet nga emri që do të propozojë presidenti për kryeministër.“Jemi në pritje për të mësuar se kë do të besojë presidenti në detyrën për formimin e qeverisë së re, pastaj do të përpiqemi të sigurojmë mbështetjen më të madhe për të. Theksojmë edhe njëherë nevojën që vendi, nisur edhe nga kriza që ndodhet, të ketë një qeveri të fortë, jo të përkohëshme apo teknike, por një qeveri jetëgjatë, në gjendje të ndërmarrë reformat e duhura për të nxjerrë vendin nga kriza”, deklaroi në përfundim të takimit me presidentin Napolitano, kreu i PDL-së, Silvio Berlusconi.Sipas mediave italiane dy janë emrat që qarkullojnë, Giuliano Amato dhe Mario Monti, ndërsa emri i kryebashkiakut të Firences, që deri ditën e martë ishte favorit, është hequr nga lista e favoritëve.Një qeveri me Amaton ose Montin mund të marrë bekimin e PD dhe PDL ndërsa lëvizja M5S e Grillo-s dhe Lega Nord kanë deklaruar votën e tyre kundër.