Koalicioni vret shefin financiar të ISIS, Abu Salah

Ushtria amerikane thotë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka vrarë shefin e financave të Shtetit Islamik dhe dy udhëheqës të tjerë të lartë në goditje ajrore javët e fundit.Zëdhënësi Steve Warren tha sot se goditjet ajrore të koalicionit vranë Abu Salahun, ministrin e financave të ISIS, i cili ka qenë përgjegjës për koordinimin e praktikave të zhvatjes së parave dhe metoda të tjera për grumbullim fondesh, si dhe një udhëheqës tjetër të lartë që shërbente si zyrtar ekzekutiv.Zoti Warren e cilësoi Salahun si një ndër udhëheqësit më me përvojë dhe tha se vrasja e tij do të ndërpresë aftësitë e ISIS për të kryer aktivitetin financiar.Zëdhënësi tha gjithashtu se 350 luftëtarë të ISIS u vranë nga goditjet e koalicionit në Ramadi. Ekstremistët e ISIS e morën Ramadin nën kontroll këtë vit, por sipas zyrtarëve irakianë, trupat qeveritare kanë rimarrë disa lagje të qytetit.