Bushati në samitin e NATO-s: Shqipëria kontribut në Afganistan dhe për 2016

Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj ushtarak në Afganistan edhe përgjatë vitit 2016. Garancia u dha nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në samitin 2 ditor të NATO-s në Bruksel.Bushati: Ne sot kemi diskutuar në ministerialin e NATO-s  në lidhje me kontributin e të gjithë aleatëve dhe partnerëve në Afganistan, një kontribut i cili do të shtrihet përtej 2016.Në seancën e përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogherini, Ministrat e vendeve aleate diskutuan lidhur me sfidat e sigurisë që shqetësojnë të dy organizatat. Ministri Bushati renditi një sërë sfidash me të cilat po përballet sot Aleanca, që nga situata në Siri e deri tek sulmet terroriste.Bushati: Shqipëria ka bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë me partnerët kryesorë brenda NATO-s për ta luftuar këtë fenomen, sikundër për të shkurajuar shifrat dhe fenomenin e luftëtarëve të huja. Mund të konstatohet me kënaqësi se shifrat për Shqipërinë janë në rënie.Në ditën e dytë të punimeve, më 2 dhjetor në takimin e Ministrave të Jashtëm, u komunikua vendimi për dhënien e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.